
Jetmir Kaloshi, shoferi që u arrestua në portin e Durrësit pasi në furgonin e tij u gjetën 8 armë që thuhet se destinacion kishte Britaninë, ka dalë sot para gjykatës ku GJKKO caktoi ndaj tij masën ‘arrest me burg’.
35-vjeçari, i akuzuar për “Trafikimi i armëve dhe i municionit, ka mohuar akuzat para togave të zeza.
Ai ka pretenduar se ishte vetëm shofer dhe nuk kishte lidhje me materialet e gjendura në furgon.
“Unë do i dorëzoja në Itali dhe pastaj do kthehesha. Nuk kam vizë për në Britaninë e Madhe. Unë jam shofer dhe nuk kam lidhje fare me materiale. Unë do i dorëzoja në Itali dhe pastaj do të kthehesha. Nuk kam vizë për në Britaninë e Madhe”, ka thënë ai.
Kaloshi ka pretenduar se ishte i punësuar pranë një agjencie si shofer, ndërsa shtoi se nuk ishte në dijeni për mallrat që duhet të transportonte.
Jetmir Kaloshi, shoferi i furgonit që u arrestua pasi iu gjetën 8 pistoleta të fshehura poshtë një tavoline është duke u hetuar nga SPAK. Në vijim të hetimeve, autoritetet po verifikojnë personin që ka dorëzuar tavolinën ku ishin të fshehura armët. Pjesë e hetimeve pritet të jetë edhe personi pritës në Britani të Madhe, në adresën që do të dorëzohej porosia.
Mësohet se autoritetet shqiptare akoma nuk kanë dërguar letërporosi në Britani të Madhe, por procedurat kanë nisur. Megjithatë, nga ana e tyre autoritetet britanike kanë marrë masa për kontrolle të shtuara në kufi. Dyshimet e policisë shqiptare janë për një rrjet personash me të shkruar kriminale që e kanë biznes trafikimin e armëve. Deklarimet e Koloshit nuk kanë ndihmuar shumë hetuesit mbi ngjarje.
Kujtojmë se policia e Durrësit, ka sekuestruar 8 armë zjarri ‘pistoletë’ në Portin e Durrësit dy ditë më parë. Ato po transportoheshin nga një furgon me targa angleze.
Furgoni u ndal nga policia në vijën e dytë të kontrollit të terminalit të trageteve ku më pas do të imbarkohej në tragetin e linjës Durrës-Ankona.
8 pistoletat të llojit 'glock' ishin ambalazhuar në një kuti kartoni dhe kishin destinacion Anglinë.
Lini një Përgjigje