TAGS-AT E JAVËS

Kronike 1 Korrik 2025, 10:15

Trafikonin municione nga Shqipëria në Kretë, zbardhet skema si funksiononte grupi kriminal

Shkruar nga Pamfleti
Trafikonin municione nga Shqipëria në Kretë, zbardhet skema si
Pamje nga arrestimi

Policia greke ka goditur rrjetin kriminal që trafikonte municione nga Shqipëria në ishullin e Kretës. 4 persona u arrestuan, mes tyre edhe një 65-vjeçar që dyshohet si kreu i bandës, i dënuar vite më parë për të njëjtën vepër penale.

Sipas hetimeve, banda blinte mijëra fishekë të kalibrave të ndryshëm në Shqipëri dhe i transportonte me kamionë të modifikuar, ku municioni mbahej në vende të fshehta për t’u shmangur nga kontrollet e policisë.

Ata kalonin mallrat në kufirin greko-shqiptar, më pas i dërgonin me traget nga porti i Pireut drejt Kretës, ku ia shisnin palëve të interesuara kundrejt pagesave të larta.

Trafikonin municione nga Shqipëria në Kretë, zbardhet skema si

Në momentin e arrestimit në kufirin greko-shqiptar, policia sekuestroi 24,000 fishekë, ndërsa në kontrollet e mëtejshme në shtëpitë dhe automjetet e tyre gjeti 126 fishekë të tjerë, një armë ushtarake, 900 euro dhe tre automjete.

Mësohet se një 41-vjeçar me origjinë shqiptare, anëtar i bandës, ishte personi që mbante kontaktet me tregtarët dhe organizonte dërgesat, ndërsa një 30-vjeçar u arrestua në Kretë pasi kishte porositur ilegalisht municion nga grupi kriminal.

Anëtarët e organizatës kriminale kishin role të përcaktuara. Një 65-vjeçar ishte në krye të organizatës. Ai mblidhte porositë për fishekë, udhëtonte deri në kufi ku mbikëqyrte marrjen e municioneve dhe pagesën e parave, ndërsa vetë kujdesej për shitjen e tyre në Kretë, duke udhëtuar me motoçikletë.

Një 72-vjeçar kishte krijuar një vend të posaçëm brenda kamionit për të fshehur municionet, një 73-vjeçar kishte marrë përsipër detyrat e shoferit të kamionit, me të cilin udhëtonte deri në kufi dhe më pas kthehej në Kretë dhe 41-vjeçari shqiptar kujdesej për sigurimin e municioneve nga një bashkëkombës, sipas Prothotema. 

Të arrestuarit po përballen me akuza për shkelje të ligjit për armët dhe vepra të tjera penale, ndërsa çështja është dorëzuar në prokurorin kompetent të Chanias.

Lini një Përgjigje