TAGS-AT E JAVËS

Kronike13 Korrik 2023, 12:55

Tentoi të vrasë Shpëtim Skurën, arrestohet në Elbasan Albi Biçaku

Shkruar nga Pamfleti

Tentoi të vrasë Shpëtim Skurën, arrestohet në Elbasan

27-vjeçari Albi Biçaku është arrestuar nga policia e Elbasanit, i cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Policia bën me dije se Biçaku ishte shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit antidrogë “Rrjeti”.

Ai është shpallur në kërkim edhe për tentativë vrasjeje, ngjarje e ndodhur me datë 21.02.2023, në një lokal në Librazhd, ku tentoi të vrasë me armë zjarri 35-vjeçarin.

Albi Biçaku rezulton të jetë njëri prej 7 personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit "Rrjeti" të ndërmarrë më 29 qershor në disa qytete për shkatërrimin e 4 grupeve kriminale që merreshin me trafikun e drogës. Gjatë operacionit të 29 qershorit në pranga ranë 45 persona, mes tyre edhe biznesmenë, shpërndarës droge, furnizues si dhe drejtues të grupeve kriminale.

"Shtimi i shërbimeve në terren dhe kontrollet e mbështetura nga inteligjenca policore, bënë të mundur lokalizimin dhe vënien në pranga të një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

27-vjeçari i ndaluar, me precedent të theksuar kriminal, ishte 2 herë i shpallur në kërkim, për tentativë vrasjeje dhe në kuadër të megaoperacionit antidrogë “Rrjeti”. Gjithashtu, ky shtetas posedonte së bashku me vëllanë e tij, 1 kallep lënde plasese të programuar për shperthim në distancë, 1 armë zjarri pistoletë, fishekë luftarak dhe rreth 560 gramë lëndë narkotike cannabis sativa.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Elbasan, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve në terren, të mbështetura nga inteligjenca policore, me qëllim mbajtjen në kontroll të plotë të rendit dhe sigurisë në qark, si dhe për kapjen e shtetasve me precedent të theksuar kriminal që përbëjnë rrezik për qytetarët, kanë lokalizuar në Prrenjas dhe kanë ndaluar shtetasin e shpallur 2 herë në kërkim A. B., 27 vjeç, banues në Librazhd.

-Më datë 21.02.2023, në një lokal në Librazhd, shtetasi A. B. ka tentuar të vrasë më armë zjarri, shtetasin R. H., me të cilin ishte konfliktuar më parë vëllai i 27-vjeçarit, shtetasi R. B. (i arrestuar menjëherë pas ngjarjes). Nga të shtënat ka mbetur i plagosur aksidentalisht, në këmbë, një shtetas tjetër.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, në ambientet (banesë dhe dyqan) e përbashkëta të vëllezërve, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 kallep lënde plasese të programuar për shperthim në distancë, 1 armë zjarri pistoletë, fishekë luftarak dhe rreth 560 gramë lëndë narkotike cannabis sativa.

-Gjithashtu, shtetasi A. B. ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, sepse akuzohet si pjesëtar i një rrjeti kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve, i cili u godit nga Policia e Elbasanit, më datë 29 qershor 2023, si rezultat i megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Rrjeti”. 27-vjeçari i ndaluar është shtetasi i 52-të i vënë në pranga", njoftoi policia.

Lini një Përgjigje