TAGS-AT E JAVËS

Kronike 8 Shtator 2024, 11:15

Tentoi të vrasë Durim Bamin, anëtari i 'Bandës së Niklës' Marklen Haka del sot para gjykatës

Shkruar nga Pamfleti
Tentoi të vrasë Durim Bamin, anëtari i 'Bandës së
Marklen Haka

Ka nisur në Gjykatën e Posaçme seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për Marklen Hakën alias Marklen Aliu, i dyshuar për disa vepra të rënda penale.

33-vjeçari u arrestua të premten në zonën e Niklës në Fushë-Krujë pasi ishte shpallur në kërkim në muajin Maj gjatë operacionit të koduar “Revanshi” ku u firmosën 50 urdhër-arreste për kokat e krimit të organizuar në vend.

Marklen Haka akuzohet për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, dhe po ashtu ka bashkëpunuar me persona të tjerë për vrasjen e ish-deputetit Arben Ndoka.

Ndaj Hakës janë bërë disa atentate, më i rëndi është ai i 21 Shtatorit 2019 ku humbi jetën halla e  tij. Në atë kohë në drejtim të banesës së Marklen Hakës u qëllua me breshëri kallashnikovi.

Kush është Marklen Haka?

Marklen Haka nuk është një emër i panjohur për Policinë e Shtetit. Në skedarët e policisë ai rezulton i arrestuar disa herë për vepra të ndryshme penale, ndërkohë që ka qenë objektiv i dy sulmeve me armë.

Ai i shpëtoi edhe një atentati në vitin 2019, ku mbeti e vrarë halla e tij, 50- vjeçarja Shpresa Basha, e cila mbrojti nipin me trupin e saj. Ndaj të riut u qëllua me 100 plumba, ndërsa Haka kishte vetëm dy muaj që ishte liruar nga burgu.

Mariglen Haka ka përfunduar për herë të parë në pranga kur ishte 20 vjeç, i dyshuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes.

Ai u arrestua më 29 qershor të vitit 2011, i dyshuar nga Prokuroria e Tiranës si autori i vrasjes së biznesmenit N.Z, mbrëmjen e 13 qershorit të po atij viti, në një nga baret tek ish-Blloku në kryeqytet.

I shoqëruar pas ngjarjes, i arrestuari Mariglen Haka ka mohuar vrasjen dhe ka pohuar se nuk ka qenë në Tiranë ditën e ngjarjes. Megjithatë, Haka u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u arrit t’i faktohej vepra penale, për të cilën ishte arrestuar.

Më 12 shtator të vitit 2018, Mariglen Haka u arrestua bashkë me të atin e dy persona të tjerë, në operacion e bujshëm, gjatë të cilit forcat speciale rrethuan Niklën dhe disa fshatra të tjera të Krujës, duke shoqëruar dhjetëra persona, por që arriti të gjente vetëm disa armë pa leje. Në lidhje me këtë arrestim, Haka u dënua me 1 vit heqje lirie.

Me një vendim të datës 9 prill 2019, Gjykata e Krujës e dënoi Hakën me 1 vit e gjysmë burg, por me gjykim të shkurtuar ai u dënua përfundimisht me 1 vit heqje lirie. Dënim që e përfundoi në korrik të 2019.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka reaguar më vonë, duke thënë se bashkë me të po shoqërohen edhe disa persona të tjerë.

 

marklen haka

Lini një Përgjigje