Paraprakisht dyshohet se shkak i krimit është hakmarrja...
Një person është ekzekutuar me armë zjarri në Laç. Viktima është një 67-vjeçar i identifikur si Dodë Mamli.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Vilëz të Laçit. Paraprakisht dyshohet se mund të kemi të bëjmë për konflikt për motive hakmarrje. I moshuari është qëlluar me armë pranë banesës. Ndërkohë policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve.
“Në rrugën e fshatit Vilëz, Zhejë, Kurbin, shtetasi D., 67 vjeç është vrarë me armë zjarri nga persona të paidentifikuar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e tyre dhe identifikimin e autorëve.
Ndërkaq shërbimet e policisë po vijojnë kontrollet dhe në grupin e ndihmës së Sigurisë kanë kaluar katër njësi të Forcave Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër”, njofton policia.
Dodë Mamli është babai i Elton dhe Tom Mamlit, të përfshirë në masakrën e Mamurrasit në 2015.
Ngjarja ka ndodhur në datën 23.09.2015, ku kushërinjtë Gazmir, Taulant dhe Naim Tafa janë përplasur me armët me vëllezërit Elton dhe Tom Mamli. Nga konflikti i armatosur ka mbetur i vdekur Naim Tafa, ndërkohë që kanë mbetur të plagosur 4 persona.
Sipas prokurorisë, konflikti ndërmjet familjeve Tafa dhe Mamli ka filluar kohë më parë në Suedi, ku janë përplasur fizikisht për motive të dobëta kushëriri i të pandehurve Tafa, Edmond Tafa me vëllezërit Mamli. Ky konflikt ka vijuar edhe në Shqipëri.
Rreth një muaj para ngjarjes, Edmond Tafa dhe i pandehuri Gazmir Tafa kanë rrahur në Mamurras Elton Mamlin. Pas kësaj ngjarjeje, vëllezërit Mamli kanë debatuar edhe me kushëririn e tyre, Dorjan Mamli, për faktin se ky i fundit shoqërohej me Tafajt, të cilët ishin “kundërshtarët e tyre”.
Dorjan Mamli nuk ka pranuar të shkëpusë lidhjet me Tafat dhe për këtë arsye, ditën e ngjarjes, më 23 Shtator 2015, vëllezërit Elton dhe Tom Mamli kanë rrahur kushëririn e tyre, Dorjan Mamlin. Pas episodi, vëllezërit Mamli janë larguar me mjetin e tire Range Rover. /Pamfleti
Lini një Përgjigje