
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me tragjedinë në Shkodër, ku një fëmijë humbi jetën, ndërsa motra e tij është në gjendje të rëndë.
Sipas informacioneve të dala nga spitali, babai i ka dërguar fillimisht në spital të dy fëmijët, pasi ka dyshuar se kanë qenë të prekur nga një virozë gripale. Pasi kanë marrë aty mjekimin, ai i ka dërguar në shtëpi.
Sipas Spitalit Rajonal të Shkodrës, mjekët kanë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore, duke i kërkuar familjarëve që fëmija të qëndronte në observacion për mbikëqyrje të mëtejshme.Megjithatë, sipas tyre prindërit kanë firmosur dhe kanë zgjedhur ta marrin në shtëpi.
Një ditë më pas, gjendja e 3-vjeçarit është përkeqësuar ndjeshëm, dhe familjarët e kanë sjellë sërish në spital në gjendje shumë të rëndë. Ai është dërguar menjëherë në reanimacion, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë.
Ndërkohë, motrës së tij, që po përjetonte simptoma të ngjashme, mjekët i kanë ofruar ndihmë të menjëhershme dhe e kanë transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Gjendja e saj mbetet kritike, ndërsa mjekët po bëjnë të pamundurën për ta shpëtuar.
Lini një Përgjigje