
Një shpërthim me lëndë plasëse ndodhi në orët e para të mëngjesit në një restorant në Kamëz.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:20 në bulevardin “Nënë Tereza”, teksa lënda plasëse është vendosur në ambientet e jashtme të restorantit. Si pasojë e shpërthimit, janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Raportohet se shpërthimi ka ndodhur në restorantin "Perla e Detit", nga pjesa e mbrapme e lokalit, në pronësi të Klodjan Muratit dhe Benard Elezit, kunetër. Sasia që ka plasur ka qenë e vogël, pasi janë thyer disa xhama të fasadës. Në kamerat e lokalit duket autori që afrohet i maskuar, lë lëndën plasëse dhe largohet me vrap në këmbë.
Pronarët deklarojnë se nuk kanë konflikte me njeri dhe nuk kanë asnjë ide se pse është vendosur lënda plasëse. Hetimet në vijim do të zbardhin ngjarjen, autorin dhe shkaqet e vendosjes së tritolit.
"Rreth orës 02:20, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz, në ambientet e jashtme të biznesit në pronësi të shtetasve B. E. dhe K. M., ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje