
Një 53-vjeçar është arrestuar ditën e sotme Tiranë, pasi i shiti doza kanabisi një të mituri 15 vjeç. Ky i fundit është vënë nën hetim nga policia.
Shtetasi i identifikuar me iniciale B.Ç., u prangos pranë shkollës, në rrugën “Ymer Kurti”. Ndërsa policia ka sekuestruar lëndën narkotike së bashku me një aparat celular.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 53-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, policia ka gjetur sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje.
“Goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike, afër shkollave.
U kap në flagrancë duke i shitur doza kanabisi një shtetasi të mitur, vihet në pranga 53-vjeçari. Vihet në hetim shtetasi i mitur. Sekuestrohen lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe 1 celular.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pasi kanë siguruar informacion se 1 shtetas shiste lëndë narkotike kanabis, në afërsi të një shkolle të mesme, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Perimetri”, për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë në afërsi të shkollës, në rrugën “Ymer Kurti”, shtetasin B. Ç., duke i shitur doza kanabisi, një 15-vjeçari.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 53-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje.
Në përfundim të veprimeve për rastin, u arrestua shtetasi B. Ç., 53 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa shtetas i mitur u vu në hetim", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje