Seanca e radhës ndaj të pandehurve të dosjes "Plumbi i artë" u shoqërua me tensione të forta mes avokatëve dhe prokurorëve, që kulmoi me braktisjen e sallës nga disa prej avokatëve.
Në seancën e së enjtes avokatët duhet t'i drejtonin pyetje të penduarit Erion Alibej.
Avokatët nga ana e tyre kërkuan që t'ju vihen në dispozicion 6 deklarime të Alibejt, që nuk i zotërojnë. Kërkesa u refuzua nga prokurorët, që pretenduan se deklarimet në fjalë nuk i përkasin kësaj çështjeje, por fakteve të tjera penale. Gjithë debati u shoqërua me tone të larta dhe pas përplasjeve verbale me prokurorin Behar Dibra, 4 nga avokatët braktisën sallën dhe në të njëjtën kohe u larguan edhe të pandehuri.
Pas situatës së krijuar gjykata ndërpreu seancën dhe vendosi gjobë me nga 30 mijë lekë për 4 avokatët.
Erion Alibej, i njohur me nofkën “Krymi”, ka dëshmuar me 29 Maj për herë të parë si bashkëpunëtor i SPAK-ut, në GJKKO.
Ai foli për të kaluarën e tij penale, aktivitetin shkollimin dhe njohjen me Nuredin Dumanin, i penduari tjetër i drejtësisë që ka zbërthyer në dosjen “Plumbi i arë” aktivitetin e organizatave kriminale. Dumani akuzohet edhe si kreu i një skuadre killerash që kryente atentate me pagesë për Alibejn dhe grupe të tjera.
Alibej rrefeu njohjen në vitin 2020 me Dumanin, ku shkak u bë lajmi që ai kishte dëgjuar se ofronte 100 mijë euro për vrasjen e Talo Çelës.
“Betohem që do them të vërtetën, jam me arsim të lartë, kam qenë i dënuar në Itali, ndërsa në Shqipëri me dëshmi penaliteti rezultoj i pastër”, e nisi ai dëshminë.
Dhe më tej vijoi:
“Më 29 dhjetor të 2018-ës, në një atentat që ne si familje e quajmë kamikaz….(ndërpritet nga avokatët e të pandehurve të tjerë)...
Me Nuredin Dumanin jam njohur pasi u lirova nga paraburgimi i Elbasanit, nga fillimi i 2020-ës, Arjan Spahiu kishte kontakt me anë të një “fati”, kam qenë përdorues i enkrochat dhe sky ecc, Arjani me tha që Nuredin Dumani kishte kërkuar vetë me u taku me mua, sepse gjatë kësaj periudhe kisha hedhur si fjalë në rrugë apo në shoqëri që për Talo Çelën jepja 100 mijë euro me e vra dhe 200 mijë kush ma sillte të gjallë. Nuredin Dumanit i kishte shkuar në vesh kjo gjë”, u shpreh ai.
Dhe më tej shpjegoi kërkimet që bëri për Dumanin para se ta takonte:
“Për Nuredinin bëra kërkime, kisha çdo informacion, erdhi tek pallati në një shpi me qira që kisha marrë për djemtë e dajës tim, për 2 orë e 48 minuta, e regjistrova bisedën me Nuredin Dumanin, më shpjegoi se kishte dëgjuar që kërkoja Talo Çelën dhe më thotë që është në dijeni dhe Festim Qoli. I thashë OK. Nisa bisedën duke i shpjeguar kush janë ekzekutorët e familjarëve të mi”, u shpreh Alibej.
Lini një Përgjigje