
Katër autorët, tre në rolin e qitësit dhe një shofer i makinës tip Toyota, pritën për pak minuta në rrethrrotullimin e Rinasit, e më pas hapën zjarr në drejtim të Benzit luksoz ku udhëtonte viktima, Gilmando Dani, dhe miku i tij, Muçi Shaljani Sheqeri, aktualisht në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.
Kjo video e ndërtuar në 3D nga TV Klan, bazuar në pamjet filmike që kanë parë gazetarët tanë, tregon dinamikën e ngjarjes.
Është ora 14:18 minuta. Makina e autorëve, një Toyota ngjyrë gri, vjen nga Fushë Kruja dhe parkohet në krah të Ark Hotel, ngjitur me rrethrrotullimin ku është vendosur busti i Nënë Terezës. Lëviz për në krahun tjetër të rrethit dhe sapo sheh Benzin e bardhë të Gilmando Danit, tre atentatorët nisin të qëllojnë.
Makina e bardhë ndodhet në vijat e bardha të rrethrrotullimit. Sapo goditet, devijon në krah të kundërt të rrethrrotullimit dhe ndalon. Aty, një prej atentatorëve i afrohet dhe e qëllon disa herë të tjera Gilmando Danin.
Vrasësit janë të maskuar dhe mbajnë rroba kamuflazhi, si ato të forcave speciale të policisë.
Në rrethrrotullim, makinat vazhduan të qarkullojnë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Më tej, në pamjet filmike shihet edhe një eskortë zyrtare, ku makina e parë duket të jetë një mjet ushtarak, ndërsa janë edhe dy makina policie. Nuk dihet se kush ka qenë brenda makinës VIP, por asnjë nuk ndalon.
Pasi sigurohen se e kanë qëlluar për vdekje Gilmando Danin, të katër autorët hipin në makinë dhe largohen në drejtim të Tapizës e më pas në fshatin Halil, në Krujë, ku e dogjën mjetin, që rezultoi me targa të vjedhura një vit më parë në Greqi.
Vrasësit lanë mbi 50 gëzhoja në vendngjarjes. 10 plumba mori Muçi Shaljani Sheqeri, që ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin e Traumës. Ndërsa Gilmando Dani u qëllua me 12 të tjerë.
Lëvizja e katër autorëve është filmuar nga kamera të shumta të sigurisë, por ata kanë mbajtur maskat gjatë gjithë kohës për të mos u identifikuar.
Përmes kamerave, hetuesit kanë zbuluar se itinerari i lëvizjes, si para ashtu edhe pas krimit, ka qenë i njëjtë. Ata kanë ardhur nga rruga që lidh aeroportin e Rinasit me Tapizën dhe më pas janë drejtuar në rrethrrotullimin ku ndodhi atentati. Të njëjtën lëvizje kanë kryer edhe në ikje, deri në zonën ku u dogj makina, së bashku me katër armët e zjarrit.
Nisur nga zona nga ku u larguan vrasësit, policia ka ushtruar kontrolle të shumta në Fushë Krujë, madje ka shoqëruar dhe pesë persona, por më pas i ka lënë të lirë.
Një tjetër pikë ku janë përqendruar hetimet është skanimi i disa personave që kanë qenë në aeroportin e Rinasit para mbërritjes së Gilmando Danit dhe Muçi Shaljani Sheqerit nga Barcelona, dhe i disa automjeteve, pasi dyshohet se vrasësit kanë pasur informatorë që kanë ndjekur lëvizjet e shënjestrave nga dalja prej aeroportit deri në marrjen e makinës në parking.
Ngjarja e ndodhur më mes të ditës mund të kishte pasur pasoja të tjera edhe për njerëz të pafajshëm, pasi zona ka qenë e mbipopulluar dhe disa nga plumbat goditën edhe fasadën e xhamave të Ark Hotel, që ndodhet pranë rrethrrotullimit ku u krye atentati, më 1 viktimë e 1 të plagosur. /Tv Klan
Lini një Përgjigje