
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Alda Klosin, ish-zyrtaren e lartë të shtetit, në banesën e të cilës u vodhën 120 mijë Euro nga pastruesja Rozeta Dobi.
Alda Klosi akuzohet nga organi i akuzës për deklarim të rremë të shumës së parave dhe të një apartamenti.
Po kështu, për hetim janë dërguar edhe pastruesja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi për vjedhje me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim.
Kur denoncoi në polici për vjedhjen e parave, Alda Klosi nuk tregoi për shumën e plotë të parave, por për një vlerë më të vogël dhe për vjedhje bizhuterish.
Por nga hetimi u zbulua se ishin vjedhur 120 mijë Euro nga pastruesja, të cilat Alda Klosi më pas i justifikoi duke thënë se janë të xhaxhait të saj që jeton në Amerikë.
Alda Klosi është e arrestuar dhe ndaj saj ka një tjetër hetim pasuror që është veçuar nga dosja e vjedhjes së parave.
Klosi ndodhet e arrestuar që prej 3 shkurtit të këtij viti pas dëshmisë së dhënë në polici nga pastruesja Rozeta Dobi, e cila pranoi se edhe shuma tjetër e parave mbi 400 mijë euro që u gjet në banesën e saj janë të Alda Klosit.
Sanitarja tha për hetuesit se kishte bashkëpunuar me Klosin dhe se paratë ia kishte dhënë vetë ajo për t’ia ruajtur pasi kishte konflikte me ish-bashkëshortin. Ndërkohë, Klosi nuk ka pranuar akuzat.
Lini një Përgjigje