Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon ndihmën e publikut për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje dhe për çdo informacion të vlefshëm vendos në dispozicion shumën prej 15 000 euro...
Policia e Shtetit ofron 15 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion mbi atentatorët e Zamir Klemit. Bëhet fjalë për ngjarjen e djeshme në Selitë ku u qëllua me armë zjarri ndaj kushëririt të Aleksandër Sadikajt.
Sipas policisë, nga verifikimet paraprake, targat e automjetit AA 968 JD, të përdorura nga autorët, janë kallëzuar të vjedhura në Tiranë, në vitin 2018, dhe po ashtu edhe mjeti tip “Nissan”, ngjyrë gri me targë MHY6650, i cili rezulton i vjedhur në Greqi më datë 13.02.2023.
Po ashtu theksohet se nga analiza e rethanave të ngjarjes ka informacione se kjo ngjarje ka lidhje me disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2022 dhe 2023 në Shqipëri dhe Greqi.
“Më datë 12.01.2024, rreth orës 22:55, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Selitës”, është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi Zamir Kalemi, i vitlindjes 1983, si pasojë ky shtetas ka marrë disa plagë me armë zjarri, dhe aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer veprimet e nevojshme procedurale, ka këqyrur vendin e ngjarjes, ka këqyrur vendin e djegies së automjetit të përdorur nga autorët, ka sekuestruar provat materiale, ka pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit disa shtetas, ka sekuestruar dhe po vazhdon këqyerjen e pamjeve filmike në afërsi të vendit të ngjarjes”, shprehet policia.
Sipas saj, aktualisht grupi hetimor vazhdon punën për gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera të rëndësishme për hetimin. Po ashtu policia ka vënë në dispozicion 15 mijë euro për këdo që jep informacion të vefshëm.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon ndihmën e publikut për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje dhe për çdo informacion të vlefshëm vendos në dispozicion shumën prej 15 000 euro, dhe informacioni mund të jepet në numrin +355694111546, duke garantuar anonimatin e çdo telefonuesi. Informacione më të detajuara do të japim për mediat dhe për publikun, në vazhdim të hetimeve”, njftojnë uniformat blu.
Lini një Përgjigje