TAGS-AT E JAVËS

Kronike25 Nëntor 2025, 14:31

Plagosja e ‘Julit të Pashakos’, pista kryesore ku po hetohet

Shkruar nga Pamfleti

Plagosja e ‘Julit të Pashakos’, pista kryesore ku po hetohet

Juljan Sula, 45 vjeç, mbeti i plagosur paraditen e sotme, në një atentat ku dyshohet se morën pjesë të paktën 3 persona.

I njohur si “Juli i Pashakos”, rival i Aldo Bares, një prej emrave më të njohur të botës së krimit, 45-vjeçari mbeti i plagosur me një plumb në këmbë.

Policia e Fierit po heton lidhur me atentatin, ndërsa pista kryesore e grupit hetimor është ajo hakmarrjes.

Referuar raportimeve, dyshimet janë se atentati është organizuar nga kundërshtarët e Juljan Sulës. Ai ka qenë i dyshuar për ngjarje ku kanë mbetur të vrarë ose janë plagosur njerëz të Aldo Bares, ndonëse zyrtarisht policia dhe organet hetimore nuk kanë gjetur fakte dhe prova mbi dyshimet e ngritura.

Në ngjarjen e vitit 2015, Sula u hetua si i dyshuar për një atentat ndaj nipit të Aldo Bares. Emri i tij është përmendur në disa ngjarje të tjera të bujshme, përfshirë masakrën e vitit 2018 ku u vranë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, pjesë e bandës së drejtuar nga Aldo Bare.

Ndërsa në vitin 2019 u shpall në kërkim si person me dijeni të mundshme mbi atentatin ku mbeti i plagosur ish-prokurori Arjan Ndoj.

Në vitin 2018 Juljan Sula i shpëtoi një sulmi me thika dhe mjete të forta, në një lokal në lagjen “Skënder Libohova” në Lushnje. Megjithëse u duk një sherr banal, fakti që pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja është mik i Aldo Bares, ngriti dyshime se ai ishte një sulm për hakmarrje. Lokali në fjalë ishte në pronësi të Arjan Aliços, i njohur ndryshe si “Arti i Braçes” një 53-vjeçar, i dënuar më parë për vrasje dhe që njihet si një nga njerëzit e Aldo Bares.

Sula u qëllua rreth 20 herë me thike dhe  leva. Ai u la buzë rruge për t’u gjetur më pas nga një kalimtar i rastit.

Të gjitha këto ngjarje duket se kanë bërë që edhe atentati i sotëm ndaj “Julit të Pashakos” të përqëndrohet në përplasjet që ai ka pasur me rivalët.

Lini një Përgjigje