Ngjarja e rëndë e ndodhur të enjten pas mesdite jashtë gjimnazit “Ibrahim Rugova” në Kamëz ka sjellë në qendër të vëmendjes sërish sigurinë në shkolla. Dy 16-vjeçarë mbetën të plagosur me thikë, njëri prej tyre në gjendje të rëndë, ndërsa një i tretë mori dëmtime nga grushtet gjatë konfliktit.
Gazetari Igli Çelmeta tregoi detaje të reja mbi ngjarjen. Sipas tij, sherri mes dy grupeve nxënësish nisi me grushte dhe më pas u përdorën armë të ftohta. Policia identifikoi të miturit e përfshirë duke sekuestruar kamerat e sigurisë dhe duke marrë dëshmi nga të pranishmit. Të premten u arrestuan dy persona, autori kryesor i plagosjes, gjithashtu i mitur, dhe shoku i tij që e ndihmoi gjatë konfliktit.
“Kanë qenë dy grupe nxënësish, dy kundër tre. Autori kryesor përdori thikën ndaj bashkëmoshatarëve, ndërsa policia, pas konsultimeve me prokurorin, vendosi të arrestojë dy të miturit e përfshirë drejtpërdrejt,” u shpreh Çelmeta për "A2 CNN".
Kjo ngjarje ngre sërish pikëpyetje mbi nivelin e sigurisë në shkollat shqiptare. Sipas gazetarit, fenomeni nuk është i izoluar. Raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë, përfshirë atë në Maliq ku një 15-vjeçar vrau shokun e tij me thikë.
Një problematikë serioze mbetet mungesa e oficerëve të sigurisë. Nga të dhënat e disponueshme, vetëm 30% e shkollave në territorin e Shqipërisë kanë oficerë sigurie, ndërsa pjesa tjetër mbetet e pambrojtur. Shumica e këtyre oficerëve shërbejnë vetëm në kryeqytet, duke lënë pa mbulim sigurinë në shumë shkolla të tjera të vendit.
Lini një Përgjigje