
Një 19-vjeçar është arrestuar në Vlorë, pasi plagosi me thikë dy persona. Sipas policisë konflikti i cili përfundoi në plagosje, lindi për motive të dobëta.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 jashtë ambienteve të një klubi nate. Së bashku me autorin 19-vjeçar ishte edhe një 17-vjeçar i cili u procedua penalisht pasi goditi me grushte kushëririn e 2 të plagosurve me thikë.
Dy të plagosurit janë 39-vjeç dhe 23-vjeç dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
“Plagosi me mjet prerës (thikë) një 39-vjeçar dhe një 23-vjeçar gjatë një konflikti për motive të dobëta, Policia vë në pranga autorin e dyshuar të plagosjes.
Procedohet penalisht dhe një 17-vjeçar, i cili, në bashkëpunim me autorin e plagosjes, u konfliktua fizikisht me një shtetas tjetër, që ishte së bashku me të dëmtuarit.
Sekuestrohet mjeti prerës (thikë) i përdorur nga autori i plagosjes.
Sot, rreth orës 04:00, në lagjen “1 Maji”, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, jashtë ambienteve të një club-i, shtetasi S. C., 19 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasit L. T., 39 vjeç, dhe D. T., 23 vjeç. Të dy këta shtetas ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe, falë veprimeve të shpejta, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasin S. C., për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore, u procedua penalisht një 17-vjeçar, i cili dyshohet se, në bashkëpunim me shtetasin S. C., kanë goditur me grushte, duke i shkaktuar dëmtime shtetasin A. T., 24 vjeç, i cili ndodhej së bashku me shtetasit L. T dhe D. T ( të tre kushërinj me njëri-tjetrin).
Në cilësinë e provës materiale, Policia gjeti dhe sekuestroi mjetin prerës (thikë) të përdorur nga autori i dyshuar dhe një automjet tip “Benz” në pronësi të tij.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Lini një Përgjigje