TAGS-AT E JAVËS

Kronike24 Tetor 2025, 12:48

Pjesë e një grupi që trafikonte drogë në Greqi, arrestohet 61-vjeçari pas vendimit të Apelit të GJKKO

Shkruar nga Pamfleti

Pjesë e një grupi që trafikonte drogë në Greqi,

61-vjeçari Fadil Demaj, i shpallur në kërkim nga SPAK dhe i dënuar me burg me formë të prerë të Apelit të GJKKO-së, është arrestuar nga Policia e Elbasanit.

Aksioni është kryer nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve, ndërsa 61-vjeçari ndodhej në masë sigurie “arrest në shtëpi”.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 20.10.2025, e ka dënuar me 5 vjet, 3 muaj e 18 ditë burgim, për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Uniformat blu kanë ekzekutuar vendimin e formës së prerë, duke e kthyer 61-vjeçarin në qeli për të vuajtur dënimin e dhënë.

Demaj akuzohej si pjesë e një organizate kriminale që trafikonte drogë nga Shqipëria në Greqi. Vitin e kaluar ai ishte arrestuar për thyerje të masës së sigurisë, por është rivendosur përsëri në “arrest shtëpie”.

“Për shtetasin F. D., Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 13.05.2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, thuhej në njoftimin e vitit të kaluar të Policisë së Elbasanit.

Demaj ishte kapur duke qarkulluar me mjet në lagjen “Shënkoll” të qytetit dhe refuzoi t’i bindej uniformave blu. Por gjatë procesit të GJKKO në të dyja shkallët, u shpall fajtor dhe dënua.

Lini një Përgjigje