TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Tetor 2025, 14:39

Pas deklaratave kërcënuese për gjyqtarët, policia reagon për arrestimin e xhaxhait të Elvis Shkambit

Shkruar nga Pamfleti

Pas deklaratave kërcënuese për gjyqtarët, policia reagon

Policia ka reaguar zyrtarisht pas arrestimit të Gjovalin Shkambit, xhaxhai i Elvis Shkambit, pasi kërcënoi publikisht se do të vriste gjyqtarin që do i dënonte nipin. 

49-vjeçari deklaroi publikisht se gjyqtari që do i dënonte nipin do të përballej me të njëjtin fat si Astrit Kalaja, i cili u vra dje në sallën e gjyqit. 

“Ata që do të dënojnë atë do të përballen me të njëjtën gjë. Ata që do të dënojnë nipin do të përballen me plumba, sepse ka 13 vjet që i shkruajmë kryeministrit dhe gjithë qeverisë na i jepni pronën se e kemi blerë. Ai gjyqtari që do dënoj atë ka të njëjtën shpërblim, provat i dhamë”, tha Gjovalin Shkambi.

Policia thotë se pas shoqërimit të tij me mbështetjen e forcave Shqiponja është bërë arrestimi dhe materialet do të referohen në Prokurori për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste.”

Si ndodhi ngjarja:

Elvis Shkambi hyri ditën e djeshme brenda sallës së gjyqit dhe qëlloi tre herë drejt gjyqtarit Astrit Kalaja pasi mori vendim kundër xhaxhait të tij Gjon Shkambi. Policia, në njoftimin zyrtar, tha se detektori kishte dhënë sinjalizim për prezencën e metalit kur nipi e xhaxhai kanë hyrë brenda gjykatës, por se roja e sigurisë Banush Koxhaj, i cili gjithashtu është vënë në pranga, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim.

Po ashtu, sipas policisë, Gjon Shkambi dyshohet se ishte në dijeni të veprimeve që synonte nipi dhe se nuk e ka ndaluar. Ndaj 56-vjeçarit rëndon akuza e vrasjes së funksionarëve publikë e kryer në bashkëpunim si dhe vrasje në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë. Ndaj autorit, përveç këtyre dy akuzave si xhaxhai, rëndon edhe armëmbajtja pa leje.

"Dha deklarata kanosëse, në media, kundrejt përfaqësuesve të sistemit gjyqësor, vihet në pranga 49-vjeçari.

Menjëherë pas deklaratave kanosëse të bëra në media nga shtetasi Gj. Sh., 49 vjeç, Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë Rajonale të Antiterrorit Shkodër dhe me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, kapën dhe shoqëruan në Komisariat 49 vjeçarin.

Në vijim të veprimeve procedurale, të drejtuara nga Prokuroria e Shkodrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gj. Sh., 49 vjeç, banues në Shkodër.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”", njofton policia.

 

Lini një Përgjigje