
Një brazilian, i dënuar për vrasje në Brazil, është arrestuar në Shqipëri, në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’.
Sipas një njoftimi nga Policia e Shtetit, Alex Fernado Vioti, 51 vjeç, banues në Itali, është arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimi, pasi ai është dënuar me mbi 8 vjet burg në Brazil me akuzën e ‘vrasjes’.
“Si rezultat i verifikimeve të kryera në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, me objektiv goditjen e paligjshmërive në kufi dhe ndalimin e shtetasve në kërkim, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit arrestuan provizorisht, në hyrje të vendit, shtetasin brazilian Alex Fernado Vioti, 51 vjeç, banues në Itali.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2023, Gjykata e Goiania, Brazil, e ka dënuar me 8 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja”.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët e Interpol Brasilia, me qëllim ekstradimin e 51-vjeçarit, në Brazil”, njoftoi Policia.
Lini një Përgjigje