
Një 57-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës dhe një tjetër është shpallur në kërkim , pas dyshimeve se janë përfshirë në të paktën dy raste vjedhjesh në banesa.
Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, u gjetën dhe u sekuestruan para cash në lekë dhe euro, bizhuteri, ora luksi dhe disa celularë, të cilat dyshohet se janë të vjedhura.
Të akuzuarit bashkëpunonin me njëri-tjetrin, duke hyrë në banesa për të marrë sende me vlerë dhe para. Hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse ata kanë qenë të përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjeje.
"Finalizohet operacioni policor i koduar “Vlera”, për zbardhjen e rasteve të vjedhjes.
Identifikohen 2 shtetas që vodhën me thyerje, në 2 banesa. Vihet në pranga njëri prej tyre, shpallet në kërkim tjetri.
Gjenden në banesën e shtetasit të arrestuar dhe sekuestrohen 900 000 lekë, 5 700 euro, 12 ora, 20 bizhuteri (varëse, unaza) dhe 8 celularë, të dyshuara të vjedhura, dhe mjete që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve.
Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës/pasurisë, identifikimin e autorëve, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Vlera”, si rezultat i të cilit janë zbardhur 2 raste në këtë fushë dhe janë identifikuar 2 autorët e dyshuar. Njëri prej tyre, shtetasi R. K., 57 vjeç, është arrestuar, ndërsa tjetri, shtetasi G. L., 30 vjeç, është shpallur në kërkim.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur me thyerje, në 2 banesa, gjatë muajve shkurt dhe korrik, shuma të konsiderueshme parash, sende me vlerë dhe celularë.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer ai dhe shtetasi i arrestuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim", njofton policia.
Lini një Përgjigje