
Një 28-vjeçar, i identifikuar si Seadet Myftija është arrestuar nga Policia e Shkodrës.
Ai dyshohet se është përfshirë në vepra të rënda penale. Sipas policisë, 28-vjeçari është person i dyshuar për shkatërrim prone me eksploziv, shkatërrim prone me mjete të forta, plagosje me dashje dhe vjedhje.
Nga hetimet e kryera, në maj të vitit të kaluar, i riu ka goditur me sende të forta një person dhe ka shkatërruar automjetin e tij. Një muaj më vonë, në lagjen “10 Korriku”, dyshohet se ka vënë lëndë eksplozive në portën e banesës së një shtetasi dhe ka vjedhur një motomjet.
“28-vjeçari u ndalua sepse nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, rezultoi se:
-më datë 31.05.2023, ka goditur me sende të forta një shtetas dhe ka shkatërruar automjetin e tij.
-më datë 29.06.2023, në lagjen “10 Korriku”, dyshohet se ka vënë lëndë eksplozive në portën e banesës së një shtetasi dhe ka vjedhur motomjetin e një shtetasi tjetër;
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Shkatërrimi i pronës”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Vjedhja””, njofton policia.
Lini një Përgjigje