
Arrestohet Andrew Bode, ishte në kërkim për vrasjen e Edmond Papes.
Policia ka vënë në pranga 45-vjeçarin Andrew Bode në Gjirokastër i cili ishte në kërkim për vrasjen e Edmond Papës. Aksioni për arrestimin e tij është bërë nga Policia e Gjirokastrës dhe forcat RENEA. 45-vjeçari Edvin alias Andrew Bode njihet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sipas policisë, në pranga ka rënë edhe Julian Kalemi i cili kishte strehuar në banesë Edmond Papën. Në kuadër të operacionit ‘Plani’ polica ka arrestuar edhe Adriatik Kalemin (Andrea), babai i të cilit u vra në një atentat në Memaliaj, vetëm pak javë më parë. Andrea Kalemit, iu gjet në banesë edhe një arsenal armësh, pasi siç duket po përgatitej për ndonjë hakmarrje të mundshme pas vrasjes së të atit.
Konkretisht, gjatë kontrollit në banesën e Kalemit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.
Andrew Bode, 44 vjeç, me origjinë nga Berati, dyshohet të jetë ekzekutori i Edmond Papës në 16 dhjetor në zonën e Selitës në Tiranë. Bode, i njohur dhe me emrin Edvin Bode, por për shkak të problemeve me drejtësinë e ka ndërruar para disa vitesh. Por në Gjendjen Civile është regjistruar me emrin Andrew Bode.
Bode është ndihmuar nga Albano Velo për të eliminuar Edmond Papën për hakmarrjen e vrasjes së Aleksandër Sadikajt në qershor të vitit të shkuar.
"Finalizohet nga Drejtoria e Policisë Gjirokastër dhe Reparti Special “RENEA”, operacioni policor i koduar “Plani”. Lokalizohet në Memaliaj, kapet dhe vihet në pranga një 45-vjeçar nga Tirana, shtetas me rrezikshmëri shoqërore, i kërkuar për vrasje. Gjatë operacionit u vu në pranga dhe një shtetas që strehonte në banesë, në Memaliaj, të kërkuarin. Gjithashtu, gjatë operacionit u vu në pranga dhe një shtetas tjetër, të cilit bazuar në inteligjencën policore, iu krye kontroll në banesë, ku iu gjetën armë zjarri, armë gjahu, antiplumb, silenciatorë, municion luftarak, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.
Strukturat e Hetimit të Krimit të DVP Gjirokastër, bazuar në inteligjencën policore, për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar për vrasje dhe të një shtetasi tjetër që dyshohej se posedonte arsenal armësh në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Repartin Special “RENEA”, operacionin policor të koduar “Plani”. Në kuadër të operacionit të zhvilluar në Memaliaj, në banesën e shtetasit J. K., Policia kapi dhe arrestoi shtetasin e shpallur në kërkim A. alias F. alias E. B., 45 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2022, ky shtetas, në bashkëpunim me 2 të tjerë, dyshohet se janë autorët e vrasjes së shtetasit E. P.. Në vijim të veprimeve proceduarale, Seksioni kundër Krimeve të Rënda arrestoi shtetasin J. K., i cili ka strehuar shtetasin në kërkim.
Operacioni ka vijuar në Memaliaj, duke kryer kontroll në banesën e shtetasit A. K.. Gjatë kontrollit, shërbimet e Poclicisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë. Shtetasi A. K. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. Megaoperacioni “Sundimi i ligjit” vijon", njofton policia.
Si u vra Edmond Papa?
49-vjeçari Edmond Papa, u qëllua rreth orës 16:30 në zonën e Selitës në Tiranë, teksa ishte në një lokal aty pranë, në rrugën "Fadil Bodinaku". 49-vjeçari u dërgua në spital, por nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve të marra. Në momentet që është afruar në ambientet e jashtme të lokalit Papa ka reaguar dhe ka qëlluar në drejtim të tij me mjetet që ka pasur përpara, tavëll duhani dhe të tjera. Në këtë moment një nga autorët ka qëlluar me plumba pistolete 9 herë dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes.
Edmond Papa ishte me precedent në Greqi, i dënuar për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. Sipas burimeve, ai kishte pak kohë që kishte ardhur në Shqipëri ndërsa në Tiranë ndodhej për të shoqëruar nënën për disa vizita mjekësore. Viktima ishte pronar i hotel ‘Blue Sky’ në Sarandë.
Si u vra Aleksandër Sadikaj?
Më 11 qershor, 27 vjeçari Aleksandër Sadikaj, pronar i një resorti me pistë hipizmi në Memaliaj, ishte nisur drejt qytetit të tij, por në aksin Sauk-TEG, makina me targa AB077PO me të cilën ai po lëvizte shpërtheu, si rrjedhojë e sasisë së tritolit. Bomba me celulare dyshohet se i është vendosur nga persona që kishin akses te makina. Nga shpërthimi Sadikaj humbi 2 gjymtyrët e poshtëm, këmbët, dhe ia doli që të dilte vetë nga makina e të dërgohej në spital, por nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të rënda.
Lini një Përgjigje