
Qershori dhe korriku 2020 duket se kanë qenë shumë intensive për Bajrajt e Shkodrës si edhe Gjykatën e Prokurorinë e rrethit pasi do të vendosej për nxjerrjen e Behar Bajrit nga qelia.
Siç duket në komunikimet në SKY, pasqyruar në dosjen e SPAK, Bajrajt në bashkëpunim me prokurorin Xhevahir Lita i bëjnë presion gjykatësve që të lirojnë Beharin nga burgu si edhe të lehtësojnë masën e sigurisë për Astmer Bilalin.
Në një moment, teksa Behar Bajri flet në SKY me prokurorin, ai i thotë: “Thuaji atij (gjyqtarit) që nuk do gjë falas, (pra që do të paguajë) të pranojë ose nëse nuk dal nga burgu, unë në mal e ti në varr”.
Sipas prokurorëve ky është një kërcënim ndaj gjyqtarit që kishte në dorë çështjen e tyre, ndërsa nga komunikimi duket se flitet për shuma 500 000 mijë apo 100 000 euro, të cilat ofroheshin për nxjerrjen e Behar Bajrit nga burgu.
Nga bisedat duket se prokuroria ia ka thënë këtë gjë gjyqtarit pasi thotë “po, e di ai”, por tashmë SPAK-ut i mbetet të verifikojë se në çfarë rrethanash u mor vendimi për nxjerrjen e Behar Bajrit nga burgu në verën e vitit 2020.
Lini një Përgjigje