
Një 21-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Shëngjin, pasi u kap duke lëvizur me armë zjarri në zonën e plazhit. 21-vjeçari Klaudio Vuksani, mbante me vete një armë zjarri automatike dhe municion luftarak.
"Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në të dhënat e siguruara për një shtetas që lëvizte me armë zjarri, në Shëngjin, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Siguria”.
Gjatë operacionit, në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin Klaudio Vuksani, që po mbante një armë zjarri. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, ai ka tentuar të largohet, por është kapur dhe neutralizuar.
Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 1 armë zjarri automatike tip “Scorpion”, me fishek në fole, dhe 2 krehra me municion luftarak për këtë armë", njofton policia.
Lini një Përgjigje