
35-vjeçari Argen Hoxha ka rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se është pjesë e grupit të mashtrimit të drejtuar nga Florian Gjergji. Ai i mori nëpërmjet mashtrimit 100 mijë euro biznesmenit Flamur Rrushi, duke u hequr si Taulant Balla.
Argen Hoxha u arrestua në Rinas teksa po tentonte të largohej jashtë vendit. Policia bën me dije se po punon për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë grup mashterimi.
“Vihet në pranga një 35-vjeçar, i cili nga hetimet dyshohet se është i implikuar në një rast mashtrimi, të goditur nga Policia, rreth 1 muaj më parë.
Ky shtetas u kap në bashkëpunim me shërbimet e PKK Rinas, në tentativë për t’u larguar nga vendi.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Elbasan, si rezultat i hetimeve me metoda proaktive, të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, si dhe i koordinimit të punës dhe shkëmbimit të informacionit me shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas, ndaloi në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria, shtetasin e shpallur në kërkim policor, A. H., 35 vjeç, banues në Tiranë.
35-vjeçari dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, më datë 02.05.2024, i kanë marrë nëpërmjet mashtrimit, një shumë parash, administratorit të një biznesi, shtetasit F. Rr.
Vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë autorëve të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Lini një Përgjigje