TAGS-AT E JAVËS

Kronike17 Korrik 2024, 10:40

Atentati ndaj Fadil Memës, Gjykata e Lartë kërkon rigjykim për Florenc Çapjan që dyshohet se fshihet në Dubai

Shkruar nga Pamfleti
Atentati ndaj Fadil Memës, Gjykata e Lartë kërkon rigjykim
Ish efektivi Fadil Mema dhe Florenc Çapja

Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjykatës së Elbasanit të muajit nëntor 2019, vendim që u la në fuqi dhe nga Apeli i Durrësit për lirimin e Florenc Çapjas.

Çapja është në kërkim ndërkombëtar, pasi SPAK kërkon dënimin e tij me 25 vite burg për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqirit në 2012.

Pasi u pushua çështja ndaj tij në 2019, Çapja u lirua nga qelia dhe nuk ndodhet më në Shqipëri. Ai dyshohet se fshihet në Dubai, një vend ku strehohen kriminelët dhe shumë i vështirë për të arritur marrëveshje ekstradimi.

Trupa e gjykimit e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni shqyrtuan rekursin e prokurorisë, që kundërshtonte pushimin e çështjes për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Fadil Memës, ish efektivit të rrugores.

Më datë 20 nëntor të vitit 2019, gjyqtari Tomor Kullolli vendosi pushimin e çështjes për Florenc Çapjan, duke e liruar këtë të fundit nga qelia.

Në atë kohë, gjykata u shpreh se nuk ka prova të mjaftueshme për ta implikuar Çapjan në këtë ngjarje. Vendimi për pushim u mor në seancën paraprake, ku gjykata duhet të vendoste kalimin ose jo të dosjes për gjykim.

Vendimi që u mor nga gjykata e Elbasanit u la në fuqi edhe nga Apeli i Durrësit, konkretisht nga gjyqtarja Anita Mici në 14 prill të vitit 2020.

Edhe gjyqtari Tomor Kullolli dhe gjyqtarja e Durrësit Anita Mici janë shkarkuar nga Vettingu.

Kush është Florenc Çapja dhe pse u arrestua?

Florenc Çapja, anëtari i njohur i fisit, Çapja, u arrestua më 14 qershor të 2019 gjatë një operacionit “KRASTA” në Elbasan pasi mbi të rëndonin akuzat  “Vrasjes me paramendim të mbetur tentativë” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Çapja u mor i pandehur për një krim të kryer në vitin 2006 në Elbasan, ku u vra ish-oficeri i Policisë Fadil Mema. Për këtë krim ai është arrestuar dy herë të tjera por është liruar, për shkak të mungesës së provave dhe dëshmitarëve. Pas vendimi të Kullorit, Çapja u lirua sërish për të arrestuar më qershor. 

Etja për të eliminuar fizikisht Fadil Memën, ka ardhur pasi në Elbasan është vrarë Sokol Çapja në dhjetor të 2005.  Ky nisi edhe saga e vrasjeve të njëpasnjëshme. Sokoli dhe Dritan Sheme, një killer me pagesë dhe mik nga ana e gruas me Fadilin, urdhërohet nga Çapja të vrasi Rezart Çelën në Elbasan. Kontrata e vdekjes ishte dakordësuar mes Shemes dhe Sokol Çapjas për 30 mijë euro. Plani u krye, Sheme, si një killer profesionit, ekzekuton në tetor 2005 Rezart Çelën, dhe pas disa ditësh paraqitet tek Sokol Çapja, për të kërkuar diferencën prej 15 mijë euro.  Këtu pati një përplasje. Mes killerit me pagesë Sheme dhe Sokol Çapja, hapet një konflikt i ri, ku pati disa tentative vrasje nga të dyja palët pas sherrit për lekët.

Në këtë konflikt hyri spontanisht Fadil Mema, ish-efektiv i policisë rrugore Elbasan, i cili pasi ditë kishte shkuar tek lokali i Çapjave  “Univers”, për të festuar 50-vjetorin e ditëlindjes. Këtu Mema u përplas me Çapajn, pasi ky i fundit i kërkoi që Dritan Sheme që ishte përfshirë në listën e të ftuarve të tij , nuk duhet të ishte në atë lokal. Pas kësaj ngjarje tre persona vranë Sokol Çepjan më 2005 në një lokal të qytetit. Fisi Çapja u acarrua shumë dhe kërkonin hakmarrje. Në atë periudhë policia shpalli në kërkim Dritan Shemen, ndërkohë arrestoi dy bashkëpuntorët e tij Gentian Beqirin dhe Armando Hasanin.

Ndërkohë mllefi i fisit Çapja ishte shtuar dhe kërkonin shpagim tek Fadil Mema, njeriut të cilit më vonë pas goditjes me 11 plumba i kanë kërkuar falje.  Por edhe pse u largua nga Shqipëria për në Itali, Fadil Mema nuk mundi të shëtonte, ai u ekzekutua.

Historia e hasmërisë me fisin Mema

Historia ka nisur në vitin 2005, ku Sokol Çapja u përfshi në një konflikt me ish-kreun e Qarkullimit Rrugor në Elbasan, Fadil Mema.

Sokol Çapja mbeti i vrarë pas kësaj ngjarje, ndërsa si autorë u akuzuan nipërit e oficerit të Policisë, por nuk mbaroi këtu, pasi Çapjajt morën hak duke vrarë kunatin e Fadil Memës, Ardian Ibrahimin në maj 2006.

Në vitin 2012 –  u ekzekutua Gentian Beqiri, një nga të akuzuarit për vrasjen e Sokol Çapjas, ndërsa në mars të 2015 në Torino të Italisë ekzekutohet edhe Fadil Mema.

Në 3 shkurt 2016 –  bëhet edhe atentati i parë ndaj familjes Çapja, ku mbetën të vrarë Agron Çapja, nipi i tij Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli, ndërsa mes tetë të plagosurve ishte dhe Florenc Çapja.

Në 6 gusht 2017 –  Ardian Çapjas i bëhet edhe atentati i dytë, u godit me predha, por për fatin e tij të mirë predha nuk shpërtheu, duke bërë që edhe këtë herë Ardian Çapja t’ja hidhte paq.

Atentati i tretë i bëhet përsëri në vitin 2017, ku në afërsi të banesës së tij goditet me kallashnikov dhe armë të tjera, por sapo ka dëgjuar të shtënat ai është futur brenda duke iu shpëtuar plumbave.

Makina e përdorur nga autorët, të cilët as sot nuk janë gjetur, ishte e vjedhur dhe i përkiste një biznesmeni në Tiranë, Xh. Hoxhës. Pas atentatit autorët e dogjën makinën dhe bashkë me të edhe provat që policia mund të gjente.

Më 8 qershor 2020- bëhet atentati i katërt ndaj tij dhe familjes, ku Ardian Çapja u godit me snajper nga një kodër. 53 vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.

atentati ndaj fadil memës florenc Çapja

Lini një Përgjigje