
Nga pamjet e publikuara pak para ekzekutimit të 29-vjeçarit Ermir Dedja mbrëmjen e djeshme në Durrës, shihet që automjeti i autorëve lëviz në sens të kundërt duke bërë kështu të mundur dhe bllokimin e rrugicës.
Po ashtu, vihet re që xhamat e automjetit janë të ulur, çka do të thotë se autorët ishin në gatishmëri për të nxjerrë armën dhe për të qëlluar të riu.
Paraditen e sotme, automjeti i autorëve u gjet i djegur në Gërdec, ndërsa brenda saj u gjet edhe arma e dyshuar e krimit.
Ermir Dedja sapo kishte zbritur nga automjeti i tij kur autorët, ende të paidentifikuar, i zunë pritë dhe e qëlluan me breshëri kallashnikovi. I riu ishte me origjinë nga Shijaku, por jetonte në Durrës. Ai kishte jetuar kohët e fundit në Gjermani, ku dyshohet se ishte i përfshirë në veprimtari kriminale.
Mbrëmjen e 19 majit, 29-vjeçari i cili banonte vetëm në lagjen 11 të Durrësit kishte lënë makinën disa metra larg vendit ku u ekzekutua dhe po shkonte në këmbë të takonte disa miq.
“Në vijim të kontrolleve dhe të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 20.05.2025, rreth orës 00:50, në lagjen nr. 18, ku dyshohet se u vra me armë zjarri shtetasi E. D., 29 vjeç, shërbimet e Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Tiranës, kanë gjetur në fshatin Gërdec, një automjet të djegur dhe brenda tij një armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje