SPAK ka kërkuar burg përjetë për Redjan Rrajën, i arrestuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019.
Po ashtu SPAK ka kërkuar edhe 35 vite burg për Edjol Halilajn. Redjan Rraja është në burg lidhur me atentatin në vitin 2019 ndaj ish- prokurorit Arjan Ndoja, ku akuzohet për vrasje, armëmbajtje pa leje, grup kriminal, vjedhje dhe kryerja e veprave penale si grup kriminal.
Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.
Makinës 'Benz' me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurorit Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t'i mbijetonte plagëve.
Si u arrestua Redjan Rraja?
34-vjeçari Rraja, me profesion stomatolog u ‘gozhdua’ nga gjurmët e gishtave dhe pështyma në maskën që u gjetën në makinën tip “Benz” gri, që autorët e atentatit ndaj prokurorit lanë të padjegur në Ishëm.
Ai u arrestua teksa po tentonte të arratisej nga Shqipëria. Policia e shoqëroi atë fillimisht si të dyshuar, por pas krahasimit të gjurmëve të gishtave që iu morën në polici dhe atyre që u gjetën tek “Benz-i”, ai u ndalua zyrtarisht si një nga autorët e atentatit të 1 nëntorit në Shkozet.
Redjan Rraja, është nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, dhe ka patur edhe më herët probleme me drejtësinë. Në vitin 2016, ai u dënua me 8 muaj burg për prishje të provave, pasi fshehu celularin dhe armën e Elton Cicos, në vrasjen e 1 majit 2016. Ndërkohë që sërish u rikthye në media me denoncimin e Emiljano Nuhut në skandalin ‘Xhisiela’.
Lini një Përgjigje