
Autoritetet ndërkombëtare po kërkojnë 4 britanikë për vdekjen e një biznesmeni shqiptari i cili u ekzekutua me armë zjarri në lokalin e tij”.
Kështu shkruan e përditshmja britanike ‘The Sun’, pasi policia shqiptare mundi të zbardhë atentatin ndaj Ardian Nikulajt, e cila ndodhi një javë më parë në Shëngjin.
‘The Sun’ shkruan edhe për shqiptaro-britanikun Edmond Haxhia, i cili po kërkohet gjithashtu për vrasjen.
“Autoritetet lokale thuhet se po koordinohen me Agjencinë Kombëtare të Krimit dhe Policinë Metropolitane pas vrasjes, e cila ndodhi të mërkurën më 19 Prill. Grupi i britanikëve mendohet se janë arratisur në një vend të panjohur pas vrasjes.”, shkruan 'The Sun'.
Në lidhje me ngjarjen është shpallur në kërkim edhe një portugez, Ruben Saraiva, i cili dyshohet se është ekzekutori i Ardian Nikulajt. Sipas britanikes, dyshohet se ai ka kaluar kufirin në Maqedoninë e Veriut për t’i shpëtuar autoriteteve. ‘The Sun’ i referohet deklaratave të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, sipas të cilit janë siguruar prova shkencore biologjike të pakundërshtueshme që i përkasin autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.
Kjo ngjarje është pasqyruar edhe në mediat greke.
Edhe ‘Protothema’ ka publikuar në faqen e saj online lajmin e zbardhjes së këtij atentati ku e vë theksin tek vrasësi, i cili është portugez.
Edmond Haxhia Done, me shtetësi shqiptare dhe britanike, Ruben Saraiva, shtetas portugez, Harry Simson, shtetas britanik, Thomas Mithan, shtetas britanik, Steven Hunt, shtetas britanik, Harriet Bridgeman, shtetase britanike janë 6 të shpallurit në kërkim për vrasjen e biznesmenit Nikulaj.
Ata kanë dalë të gjithë nga Shqipëria. Dyshohet se informatori kryesor i grupit ishte Steven Hunt, për të cilin është publikuar kjo foto e marrë nga kamerat e sigurisë të hotelit ku po qëndronte.
Nga hetimet e kryera nga Policia dhe Prokuroria e Lezhës, rezultoi se ngjarja kishte motiv gjakmarrjen. Kamerat e sigurisë dhe verifikimet në sistemin TIMS, treguan se autorët kanë ndjekur për disa kohë Nikulajn, deri në realizimin e vrasjes.
Zbardhja e ngjarjes nga Policia
Gjashtë persona janë shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, ndërsa kanë dalë në dritë detaje të reja.
Ekzekutori është identifikuar si Ruben Saraiva, ndërsa bashkëpunëtorët janë Edmond Haxhia Done, shtetas shqiptaro- britanik; Harry Simson, shtetas britanik, Harriet Bridgeman, shtetase britanike; Thomas Mithan, shtetas britanik dhe Steven Hunt shtetas britanik.
Policia e Shtetit në një deklaratë zyrtare tha se pista ku po hetohet vrasja e Nikulajt është gjakmarrja.
Sipas informacioneve, Elton dhe Klodian Lestakaj, të cilët jetojnë në Angli, ishin në gjak me Nikulajn. Edmond Haxhia është djali i dajës së tyre dhe dyshohet se ishte ai që porositi vrasësit.
Megjithëse kontrollet vijojnë prej 19 prillit në zonën e Gjadrit, policia ende nuk ka mundur të gjejë motorin e përdorur nga vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj, dhe as ka arritur të shpjegojë me prova ligjore se si ka vijuar lëvizja e tij më tej.
Në një banesë në fshatin Gjadër policia gjeti pjesërisht të djegura disa veshje që dyshohet se janë të ekzekutorit të biznesmenit. Ato po ekzaminohen në laboratorin shkencor.Nga vëzhgimi i imtësishëm i pamjeve të kamerave të sigurisë ka rezultuar se ekzekutori I biznesmenit Ardian Nikulaj ka mbërritur pranë vendit të ngjarjes 8 orë para vrasjes.
Gjatë kësaj kohe ai ka qëndruar në një pallat në ndërtim nga ku ka dalë vetëm pasi është njoftuar se ishin krijuar kushtet e përshtatshme për kryerjen e ekzekutimit në lokalin ‘Coral’. Pallati në ndërtim e sipër ku qëndroi i fshehur vrasësi është rreth 100 metra larg vendit ku ndodhi vrasja.
Lini një Përgjigje