
Nëna e Klaudia Latës, shqiptares e cila humbi jetën një vit më parë si pasojë e përplasjes së dy trenave në Greqi, ka folur në 1 vjetorin e ngjarjes së rëndë.
Në disa prej qyteteve kryesore të Greqisë po zhvillohen marshime për 1-vjetorin e tragjedisë me 57 viktima në Tempi.
Një vit më parë, si pasojë e përplasjes së dy trenave në Tempi, Larissa, humbën jetën 57 persona, mes tyre edhe 6 shqiptarë.
Nëna e 20-vjeçares shqiptare, Klaudia Lata që humbi jetën në këtë tragjedi, shprehu zemërimin dhe pikëllimin e saj për humbjen e vajzës së saj.
Në një intervistë për mediat greke ajo tha se sot është dita më e vështirë e jetës së saj, pasi Klaudia nuk është më mes tyre.
Nëna e saj tha se tre ditë pas tragjedisë, trupin e Klaudias ia sollën me qese të zeza, pasi i kishte mbetur vetëm hiri.
“Sot është dita më e vështirë e jetës sime, zija është e madhe, na mungon shumë. Kisha një shpresë si një nënë për ta gjetur të gjallë, por tre ditë më vonë ma sollën me një thes të zi... Na e dogjën fëmijën dhe na e dhanë në një kuti hiri", tha ajo.
Teksa i dridhej zëri, ajo kërkoi sërish drejtësi dhe llogari duke theksuar se do të luftojë, “që të mos qajë nënë tjetër si unë”.
“Kërkojmë llogari. Ajo kishte aq shumë ëndrra dhe e vranë. Çfarë kërkuan fëmijët tanë, të shkonin të studionin. E megjithatë në një mënyrë kaq të padrejtë dhanë frymën e tyre atje në Tempi", u shpreh nëna e të ndjerës.
Lini një Përgjigje