
Policia e Tiranës ka zbardhur një nga vjedhjet e ndodhura në kryeqytet, ku u grabit kasaforta e një supermarketi, brenda të cilës raportohet se kishte të paktën 1,5 mln lekë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, finalizuan sot (24 Tetor) operacionin e koduar "Kasaforta".
Të arrestuarit janë Rei Sylaj dhe Artur Pashkaj. Ngjarja ka ndodhur në “Rrugën e Dibrës”.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës, për identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, pas kallëzimit të depozituar nga një shtetas, se dy shtetas të paidentifikuar i kishin vjedhur një shumë parash në kasafortën e biznesit të tij, në Rrugën e Dibrës, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat, gjatë operacionit policor të koduar “Kasaforta”, u identifikuan dhe arrestuan dy autorët e dyshuar, shtetasit:
– R. S., 21 vjeç, banues në Pukë, për veprat “Vjedhja” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 134/3-25 dhe 278/1 të Kodit Penal;
– A. P., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134/3-25 i Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, më datë 21.10.2024, pas mesnate, kanë vjedhur 1 500 000 lekë në kasafortën e një marketi në Rrugën e Dibrës.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit R. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur të groposur 1 armë zjarri pistoletë, me krehër me municionin luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me një pjesë të parave të dyshuara të vjedhura dhe veshje që autorët kanë përdorur gjatë vjedhjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme."-njofton policia.
Lini një Përgjigje