
Nuk ndalen sulmet me armë në vend...
Ende pa u mbushur një javë nga atentati në Rinas ku u vranë dy persona, një tjetër sulm me armë ka ndodhur sot.
Mësohet se është hapur zjarr ndaj një automjeti te rreth-rrotullimi i Koplikut në Shkodër.
Policia bën me dije se bëhet fjalë për një sherr mes disa personave dhe një 42-vjeçar është dhunuar, teksa më pas është hapur zjarr ndaj automjetit të tij. Personi në fjalë është identifikuar si Edison Tirana 52-vjeç.

“Rreth orës 19:30, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër është paraqitur me dëmtime në kokë dhe trup, dyshohet të shkaktuara me sende të forta, shtetasi E. T., 42 vjeç, banues në Bericë.
42-vjeçari është përfshirë në konflikt, dyshohet për motive të dobëta, dhe në hyrje të qytetit të Koplikut është goditur me sende të forta nga disa persona, të cilët gjatë konfliktit kanë qëlluar dhe me armë zjarri. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, tha policia.

Automjeti duket se është qëlluar në ecje e sipër dhe për t’i shpëtuar plumbave është aksidentuar dhe është përplasur në bordurën e një karburanti. Njëra anë e makinës është e dëmtuar. Po ashtu edhe gomat janë të dëmtuara plotësisht. Ndërkohë 5 plumba makina i ka marrë në pjesën e pasme të saj.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.

Lini një Përgjigje