
55-vjeçari që vrau gruan mbrëmjen e së shtunës në Maliq dhe e hodhi në një gropë septike është vetëvrarë në afërsi të banesës së tij në fshatin Zëmblak, pas një shkëmbi zjarri me policinë.
Sipas asaj që njofton polica pas lokalizimit 55-vjeçari ka qëlluar disa herë në drejtim të forcave të policisë, pas disa thirrjeve për tu dorëzuar, ai më pas është vetëvrarë.
"Pas kërkimeve të pandërprera dhe kontrollit të territorit me qëllim kapjen e shtetasit Gj. M., i cili një ditë më parë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, shërbimet e Policisë të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Maliq bënë të mundur lokalizimin në një banesë të braktisur, në fshatin Zëmblak, të këtij shtetasi.
Sapo ka konstatuar se ka qenë i rrethuar nga forcat e Policisë 55-vjeçari, ka hapur disa herë zjarr ndaj punonjësve të Policisë. Pas thirrjeve të njëpasnjëshme të Policisë për t'u dorëzuar, ky shtetas është vetëvrarë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të kryer veprime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje”, njofton policia.
Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:45 Mullalli ekzekutoi bashkëshorten e tij 46-vjeçare Luiza Mullali, nënë e tre fëmijëve dhe më pas e hodhi atë në një grupe të ujërave të zeza. Pas krimit 55-vjeçari u arratis ndërkohë që policia ngriti pika kontrolli për kapjen e tij.
Sipas informacioneve dyshohet se krimi ka ndodhur për shkak të xhelozisë, pasi çifti mësohet se ishte në proces divorci.
Gjithashtu nga deklaratat e të afërmeve dhe fqinjëve të tyre, 55-vjeçari ishte i sëmurë dhe e kishte dhunuar disa herë 46-vjeçaren. Megjithatë edhe pse Luiza Mullali kishte urdhër mbrojtjeje, kjo nuk e ka ndaluar 55-vjeçarin që ti afrohet dhe ta ekzekutojë atë, duke treguar dhe një herë dështimin e policisë në raste të tilla./Pamfleti
Lini një Përgjigje