TAGS-AT E JAVËS

Kronike11 Tetor 2023, 16:20

Ekzekutoi biznesmenët Bujar Lika dhe Paulin Gjergji, Apeli mbyll përjetë në qeli Eduart Lamajn

Shkruar nga Pamfleti

Ekzekutoi biznesmenët Bujar Lika dhe Paulin Gjergji, Apeli mbyll

Gjykata e Apelit ka vulosur dënimin me burg përjetë për Eduart Lamajn, i cili akuzohet se është pjesë e një grupi vrasësish me pagesë. Ai ka marrë para për vrasjen e dy biznesmenëve Bujar Lika dhe Paulin Gjergji. Gjykata e Kurbinit e dënoi atë me burg përjetë, ndërsa Apeli ka konfirmuar vendimin. Ndërsa shoku i tij, Ilir Lika “Xhepaj” u dënua me 33 vite burg.

Ilir Lika “Xhepaj” u arrestua në zonën e Yzberishtit në Tiranë, ndërsa Eduard Lamaj u ndalua teksa merrte mjekim në ambientet e një klinike private në zonën e “Qytet Studentit”.

Lamaj, në këtë ngjarje mbeti i plagosur në këmbë, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit që pati me njërin prej viktimave, Bujar Lika. Prokuroria në pretencën e saj ka pretenduar se Eduard Lamaj dhe Ilir Lika, kanë bashkëpunuar së bashku dhe me dy persona të tjerë, për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit. Ndërsa në kërkim për këtë ngjarje të rëndë janë shpallur Klaudio Përkola dhe Oltion Vlashi, të cilët ndodhen në arrati.

Procesi ndaj dy personave të kërkuar është pezulluar me një afat 1-vjeçar. Eduart Lamaj akuzohet se ka pasur rolin e ekzekutorit, ndërsa miqtë e tij Ilir Lika (Xhepaj), Klaudio Përkola dhe Oltion Vlashi në rolin e ndihmësit.

Në dëshminë e tij, Eduart Lamaj është shprehur se u ka kërkuar ndihmë tre shokëve të tij për realizimin e planit, por objektiv sipas tij ishte Ilirjan Allamani, i cili në ato momente nuk ka qenë në ambientet e lokalit, por me të kishte konflikte të hershme që në Itali për drogë, ky ku i fundit nuk i jepte borxhin.

Krimi i dyfishtë ndodhi mbrëmjen e 30 majit të vitit 2020 në një lokal në autostradën Milot-Mamurras, pranë fshatit Gjorm të Kurbinit, teksa Bujar Lika dhe Paulin Gjergji po pinin kafe në shoqërinë e njëri-tjetrit u sulmuan me armë nga skuadra me 4 persona.

Lini një Përgjigje