TAGS-AT E JAVËS

Kronike27 Maj 2023, 10:48

Ekzekutoi Arjan Gosën për hakmarrje, lihet në burg Habib Rexha

Shkruar nga Pamfleti

Ekzekutoi Arjan Gosën për hakmarrje, lihet në burg Habib Rexha

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Habib Rexhën, autorin e vrasjes së Arian Gosës në Kavajë për hakmarrje. Ndërsa shoku i tij, Ervis Kurti i cili dyshohet se e kishte ndihmuar të largohej pasi kreu krimin e rëndë, është lënë në masën "arrest shtëpie".

Seanca gjyqësore ndaj 31-vjeçarit u zhvillua paraditen e sotme, me dyer të mbyllura. 

Ekzekutori i Arjan Gosës, Habib Rexha u vetëdorëzua në polici dy ditë pasi kreu vrasjen. Në pranga ka rënë edhe shoku i tij, Ervis Kurti pasi e ka ndihmuar për t’u larguar pas vrasjes. 31-vjeçari ka deklaruar para grupit të hetimit se vrasjen e ka kryer pasi ai dhe familja e tij ndiheshin të kërcënuar dhe se miku i tij nuk kishte dijeni për ngjarjen.

Në dëshminë e dhënë para grupit hetimor, Rexha ka deklaruar se vrasjen e Gosës nuk e kishte planifikuar, por e ka kryer në gjaknxehtësi e sipër.

Ai ka qenë me shokun e tij, Ervis Kurtin, kur ka parë Arjanin të ulur në lokal pranë shkollës 9-vjeçare “Rilindja” në Kavajë. 31-vjeçari ka deklaruar se pasi e ka parë shënjestrën, është zhvendosur me makinë rreth 200 metra më tutje, ku ka lënë mjetin dhe është kthyer në këmbë bashkë me armën që e mbante në makinë.

“Veprova nga gjaknxehtësia. E qëllova dhe pastaj u largova në drejtim të Durrësit për të shkuar në Kukës”, ka deklaruar ai në polici.

Viktima u vra ndërsa ndodhej në lokal së bashku me babanë e tij të moshuar, dëshmia e të cilit është pjesë e dosjes hetimore për ngjarjen. Babë e bir ishin ulur në pjesën e jashtme të lokalit dhe kanë qenë me kurriz nga rruga, prandaj nuk e kanë parë autorin kur ka hyrë në lokal.

“Ishim duke parë ndeshjen. Dëgjova vetëm një krismë dhe e pashë djalin që ra në tokë dhe dikë që iku me vrap”, është shprehur Osman Rexha.

Më tej, në një tjetër dëshmi të dhënë për autoritetet Rexha ka deklaruar se viktima Arjan Gosa kur ishte kthyer nga Italia ishte shprehur se do të vriste familjen Rexha. Familja e tij ka shprehur frikën për një tjetër hakmarrje dhe ka kërkuar mbrojtje ndërkohë që babai i Arjan Gosës ka thënë në policinë e Kavajës se çështjen ia ka lënë në dorë drejtësisë.

arjan gosa habib rexha burg

Lini një Përgjigje