
10 persona janë shoqëruar deri më tani në polici dhe po merren në pyetje për të hedhur dritë mbi rrethanat e krimit që tronditi Elbasanin.
Mbrëmjen e djeshme, 43-vjeçari Mondi Mehalla, alias Edmond Hyka u vra me armë zjarri brenda në automjetin e tij të parkuar. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në afërsi të karburantit të tij.
Sipas të dhënave paraprake, Mëhalla sapo kishte dalë nga zyra e tij, në godinën ku ndodhen bizneset dhe banesa e nënës së tij. Në momentin që është futur në automjet, ai është qëlluar me armë zjarri duke marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, që i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Dinamika e ngjarjes është vlerësuar nga ekspertët si një ekzekutim tipik mafioz, por mund të rezultojë edhe vrasje për shkak të një konflikti të ndodhur mesjavën e fundit për motive ende të paqarta.
Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë mbërritën në vendngjarje, duke ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha daljet e qytetit. Vijojnë kontrollet intensive në terren, në banesa, ambiente të ndryshme dhe rrugë dytësore, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Burime policore bëjnë me dije se automjeti i përdorur nga atentatorët dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht për këqyrjen e pamjeve filmike të zonës dhe mbledhjen e provave të tjera materiale.
Sipas të dhënave zyrtare, 43-vjeçari kishte precedentë penal në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Po ashtu, mësohet se ai ishte përfshirë në një konflikt disa ditë para vrasjes, pistë që po konsiderohet seriozisht nga grupi hetimor si e mundshme lidhur me motivin e ekzekutimit.
Hetimet vijojnë në disa pista paralelisht, ndërsa operacioni policor në terren mbetet në zhvillim. Autorët e atentatit mbeten ende të paidentifikuar.
Lini një Përgjigje