Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Shënavlash të Durrësit, pasi djali ka vrarë babanë dhe e ka hedhur në pus. Ngjarja ka ndodhur rreth 20 ditë më parë, ku fillimisht Esmerald Balla ka denoncuar në polici zhdukjen e të atit të tij Enver Balla 62-vjeç.
Por policia ka nisur hetimet dhe falë përgjimeve telefonike dhe ambientale ka ngritur dyshime se në fakt 62-vjeçari ishte vrarë. Pas ballafaqimit me faktet, djali ka pranuar se e ka bërë ai krimin. 34-vjeçari ka deklaruar se ka pasur një sherr mes tyre, kjo pasi i ati kishte marrë nga kasaforta e banesës 75 mln lekë të vjetra, që ishin kursime të familjes. Në debat e sipër, i riu e ka qëlluar me armë gjahu dhe më pas e ka hedhur në pus, për të fshehur gjurmët.
Ngjarja duket si e dëgjuar dhe në fakt në shkurt të këtij viti, jo shumë larg nga banesa e familjes Balla ndodhi një tjetër krim thuajse identik. Pëllumb Meta u vra brenda banesë së tij dhe trupi u gropos brenda kasolles së bagëtive. Njësoj si te rasti i 62-vjeçarit, edhe për Pëllumb Metën ishte djali që bëri denoncim në polici se ai ishte zhdukur.
Vrasjen e mori përsipër vajza e tij, Hygerta, por më pas policia zbuloi po përmes përgjimeve se ishin të përfshirë dhe dy vëllezërit e saj. Madje policia dyshon se vrasjen e ka kryer djali i madh dhe jo vajza. Ata janë në qeli sot dhe pritet të shkojnë për gjykim.
Pra kemi ngjarje që janë thuajse njësoj. Fëmijët vrasin baballarët e tyre me gjakftohtësi, më pas fshehin trupat dhe i deklarojnë të zhdukur.
Lini një Përgjigje