TAGS-AT E JAVËS

Kronike 4 Qershor 2024, 16:32

Do të dalë apo jo nga qelia Dritan Dajti? Dështon seanca e parë në Gjykatën e Lartë

Shkruar nga Pamfleti

Do të dalë apo jo nga qelia Dritan Dajti? Dështon seanca e

Ka nisur sot në Gjykatën e Lartë, një ndër gjyqet më të bujshme në vend. E kemi fjalën për gjyqin ndaj Dritan Dajtit, pasi në Gjykatën e Lartë do të vendoset nëse ai do të dalë nga qelia, apo do të qëndrojë aty për jetë.

Dritan Dajti, u shpall fajtor nga Apeli për vrasjen e 4 policëve, Altin Dizdari, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feskaj, duke u dënuar me 25 vite burg. Rasti i Dajtit është i njohur, pasi gjyqi ndaj tij u zvarrit pafundësisht dhe në fund ai ja doli, pasi u dënua sipas parashikimeve ligjore kur u krye krimi, pra kur nuk ekzistonte burgimi i përjetshëm.

Pas 4 viteve qëndrim në pritje, anëtarët e Gjykatës së Lartë, Sandër Simoni,  Medi Bici, Ilir Panda, vendosën të marrin në shqyrtim çështjen penale të rekursuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në 4 Prill 2019.

Akuza në këtë seancë nuk u përfaqësua nga Prokuroria e Posaçme, pasuesja e Krimeve të Rënda, por nga Prokuroria e Përgjithshme.

Do jetë një prokuror i kësaj prokurorie që do mbrojë rekursin e Krimeve të Rënda, të cilat kanë kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të 4 punonjësve të policisë së shtetit, mbajtjes pa lejë të armëve dhe Përdorim i simboleve të Policisë së Shtetit.

Për këto akuza në vitin 2019, dy gjyqtarë të Vlorës Skënder Damini dhe Petrit Alia, të deleguar nga KLGJ tek Apeli i Krimeve të Rënda për gjykimin e kësaj çështje vendosën të prishin vendimin e shkallës së parë që dënonte Dajtin me burgim të përjetshëm duke e dënuar atë me 25 vite burg.

Për këtë vendimmarrje gjyqtarët u ndanë 2 me 1, ku gjyqtari i Shkodrës, Fuad Vjerdha vendosi të dalë me mendim kundër duke i qëndruar argumentimit se Dajti duhet të dënohej me burgim të përjetshëm.

Pas këtij vendimi që dënoi Dajtin me 25 vite burgim, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe policia e shtetit kryen 4 kontrolle banesash në Tiranë, Vlorë dhe Shkodër, ku në fokus ishin shtëpitë e gjyqtarëve dhe njerëzve të afërm të Dajtit.

Një hetim u nis për akuzën e Korrupsionit por kaloi koha dhe hetimi u zbeh gjatë rrugës.

Mësohet se seanca e sotme në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë është shtyrë. Seanca e radhës u la më 11 qershor.

Mësohet se brenda një jave Dritan Dajti, nga burgu i Peqinit, ka çuar një breshëri kërkesash drejt sekretarisë së Gjykatës, duke kërkuar përjashtimin e dy gjyqtarëve të kolegjit Penal, Sandër Simoni dhe Medi Bici.

Kërkesa e Dajtit për përjashtimin e gjyqtarit Medi Bici, është pranuar në 31 Maj 2024 nga anëtari tjetër i Gjykatës së Lartë, Arbena Ahmeti, duke sjellë largimin e Bicit nga gjykimi i kësaj dosje penale.

Në vendimin e gjykatës të zbardhur nga Arbena Ahmeti, thuhet se:

“...më herët në datën në datën 2 Prill 2024 Medi Bici, ka paraqitur para Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi kërkesën për heqjen dorë nga shqyrtimi i kësaj çështjeje.

Mirëpo kryetari i Gjykatës së Lartë, me vendimin e datës 17 Prill 2024, pas shqyrtimit të kërkesës ka vendosur: “Refuzimin e kërkesës së anëtarit të Gjykatës së Lartë, Medi Bici për heqjen dorë nga gjykimi i çështjes penale të regjistruar pranë Gjykatës së Lartë, kundër Dritan Dajtit...”.

Lini një Përgjigje