
Pas “kokave” të grupit, ishte kushëriri i tyre dhe më pas Elton Isaj e vëllai i tij, ku ky i fundit ishte përgjegjës për marrjen e ngarkesave të mëdha të kokainës!
Policia italiane ka shkatërruar grupin kriminal shqiptarë që merreshin prej 10 vitesh me tregtinë e kokainës. Grupi i cili funksiononte në mënyrë hierarkike,ku mes tyre ishte edhe ish-mjeku Elton Isaj, 44-vjeçari shqiptar. Isaj, i cili prej më pak se një muaji ishte mjek i përgjithshëm në Monghidoro, braktisi papritmas detyrën e tij një vit më parë.
Sipas autoriteteve italiane, mjeku Isaj nuk kishte asnjë shqetësim për shitjen e drogës, pasi punonte menjëherë pasi mbyllte turnin në spital.
Nga përgjimet e 20 dhjetorit 2021, u zbulua se së bashku me tre bashkëpunëtorë, ai i ka shitur 500 gram kokainë një të panjohuri në via Garzoni, pak hapa larg spitalit.
Ditën e nesërme, mjeku Elton Isaj, i cili ndodhet tashmë në Dozza, do të dalë para gjykatës së bashku me gjashtë nga nëntë personat e arrestuar. Tre të tjerë, janë në burgjet e qyteteve të tjera, siç është i vetmi i dyshuar që ka qenë në arrest shtëpiak, i cili aktualisht ndodhet gjithashtu pas hekurave për shkak të problemeve me mungesën e byzylykëve elektronikë. Të hënën do të jetë radha e të tjerëve. Ndër masat e sigurisë janë edhe katër “detyrim paraqitje”, ndërsa dy persona të tjerë janë ende në arrati.
Të dyshuarit, të cilët janë të moshave duke filluar nga 17 vjeç, të gjithë shqiptarë (përveç tre rumunë, një boshnjak dhe katër italianë), akuzohen si grup i strukturuar kriminal, trafikim dhe shpërndarje droge dhe shfrytëzim prostitucioni.
Sipas Prokurorisë, në krye të grupit ishin dy vëllezërit shqiptarë Marsel dhe Klaudjo Cano, përkatësisht 38 dhe 35 vjeç, të cilët në një sinergji të ngushtë koordinuan dhe drejtuan bashkëpunëtorët e tjerë, grumbulluesit e të ardhurave të paligjshme dhe transferimin e parave për në Shqipëri.
Nga pozicioni i tyre, ata drejtonin aktivitetet dhe mbikëqyrnin menaxhimin e komplet strukturës të shpërndarjes së drogës. Pas “kokave” të grupit, ishte kushëriri i tyre dhe më pas Elton Isaj e vëllai i tij, ku ky i fundit ishte përgjegjës për marrjen e ngarkesave të mëdha të kokainës, duke pasur kontroll dhe kontakte me furnitorë të nivelit shumë të lartë. Ata ishin gjithashtu përgjegjës për klasifikimin e drogës në vende magazinimi dhe më pas rishitjen te grupet më të rëndësishme.
Ky grup i mirëstrukturuar kriminal, ishte edhe pikë referimi për shpërndarjen me shumicë të kokainës në qytet. Hetimet e Antimafias të cilat zgjatën rreth dy vite, kanë çuar edhe në sekuestrimin e pasurive me vlerë dy milionë euro. Përveç drogës, grupi u fokusua edhe në prostitucionin dhe trafikimin e vajzave, kryesisht rumune.
Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se po ndjek vijueshmërinë e hetimeve për të zbardhur detaje të reja dhe persona të tjerë të përfshirë në rrjetin kriminal./ Marrë nga: Illresto del Carlino
Lini një Përgjigje