
Xhemal Gjunkshi, kandidati i koalicionit ‘Aleanca Shqipëria Madhështore’ dhe 3 persona të tjerë janë referuar në SPAK nga Policia e Dibrës, pas një incidenti të ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të premtes, ku një grup mbështetësish të opozitës, bllokuan dy makina, me pretendimin se po bliheshin vota në Maqellarë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:15 të mbrëmjes së djeshme, teksa vetë Gjunkshi ka telefonuar Policinë për makinën që kishin bllokuar nën dyshimin e blerjes së votave, teksa brenda saj ndodheshin dy persona.
Policia bën të ditur se lidhur me ngjarjen kanë nisur menjëherë hetimet, teksa kanë konstatuar se kishte një veprim antiligjor nga mbështetësit dhe përfaqësuesit e PD-së, me anë të vetëgjyqësisë. Gjithashtu ata referuan në bashkëpunim edhe me SPAK, materiale për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.
“Për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xh.Gj., 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç”, thuhet mes të tjerash në njoftimin zyrtar të Policisë së Dibrës.
Xhelal Mziu akuzoi ish-kryebashkiakun e PS, Agron Malaj, që kandidon për deputet në këtë qark, teksa ky i fundit u përgjigj me një video-postim se makina e bllokuar nuk ishte e tij, pasi ndodhej në Burrel me shtabin elektoral, duke u shprehur se ngjarja mund të verifikohej.
Njoftimi i Policisë Dibër:
"Me datë 09.05.2025, rreth orës 21.15, në sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër ka mbërritur një telefonatë nga shtetasi Xh.Gj., (kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), i cili shprehej se në Maqellarë, përfaqësues të subjektit politik të Partisë Socialiste dyshohej që shpërndanin shuma parash në këmbim të votave, banorëve të kësaj njësie.
Menjëherë, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit Dibër, janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore.
Për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xh.Gj., 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç".
Lini një Përgjigje