Arrestohet nga policia Alket Hatija, i njohur si “Zoti i Drogës”. 50-vjeçari nga Berati është i dënuar me 20 vite burg në Itali dhe është arrestuar me qëllim ekstradimin. Hatija është një emër i njohur, pasi është arrestuar dhe më herët për qëllimet e drejtësisë italiane.
Ai akuzohet për transportimin në Milano, në vitet 2003-2004 të 350 kilogramëve heroinë dhe 190 kg kokainë, ngarkesa këto me vlerë 35 deri në 45 milionë euro. 50-vjeçari prej kohësh dërgonte qindra kilogramë heroinë dhe kokainë nga Shqipëria në Itali. Arrestimi i tij u bë në Durrës.
"Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen dhe arrestimin e shtetasve në kërkim kombëtar apo ndërkombëtar, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, nga strukturat e DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “International”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjatë këtij operacioni, është kapur nga shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, shtetasi: Alket Hatija, 50 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Milano e ka dënuar atë, me 20 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Shtetasi Alket Hatija ka bashkëpunuar me 40 shtetas të tjerë, për trafikimin e lëndëve narkotike. Gjatë periudhës 2003-2004, ky shtetas ka kryer veprimtaritë kriminale të mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndës narkotike heroinë, nga Shqipëria në Itali. 50-vjeçari ka trafikuar nga Shqipëria në Itali, me bashkëpunëtorët e tij, nëpërmjet automjeteve të transportit ndërkombëtar, sasi të mëdha droge (rreth 10 kg heroinë për çdo rast)", njofton policia.
Në vitin 2017 Hatija u arrestua për tu ekstraduar në Itali, por u lirua brenda 4 ditësh. Ai u më 8 korrik, por Gjykata e Durrësit e cilësoi të jashtëligjshëm arrestimin e tij duke e lënë të lirë.
Mediat italiane kanë zbardhur detaje të reja nga jeta e 50-vjeçarit pasi ky i fundit kishte një vilë bunker në qytetin e Beratit, e cila vëzhgohej me kamera dhe truproja të armatosura. Burime pranë Policisë së Shtetit bëjnë me dije se, agjentët kishin pak informacion mbi 50 -vjeçarin Hatija.
Mësohet se për të kërkuarin ekzistonte në dosjet e Interpolit një emër, dy datëlindje, një foto në një pasaportë dhe një adresë banimi në Itali, në provincën e Campobasso, atje ku kishte jetuar në vitin 1997. Por, falë bashkëpunimit me Interpol Milano dhe agjentët e Policisë Shqiptare, autoritetet italiane në Moscova arritën që ta gjenin narkotrafikantin në qytetin e tij të lindjes. Hetimet zbuluan se 50-vjeçari kishte arritur të transportonte të paktën 49 herë sasi të ndryshme droge drejt vendit fqinj.
Droga, e cila vinte nga Shqipëria nëpërmjet anijeve, makinave e kamionëve, dorëzohej menjëherë. Në këtë mënyrë, malli nuk qëndronte për kohë të gjatë në duart e narkotrafikantit, e pikërisht për këtë arsye nuk përdorte asnjë lloj magazine për të ruajtur lëndën narkotike. Zakonisht, për ngarkesat më të mëdha, i paraprinte udhëtimet e korrierëve të tij për të verifikuar personalisht që gjithçka të shkonte sipas planit. E pikërisht në një nga këto raste, bëri edhe gabimin e tij të vetëm, duke treguar pasaportën në mbërritje me anijen në portin e Ankonës. Falë të dhënave të mbledhura në atë rast, shumë vite më vonë ai u arrestua. Ja doli të lirohej, por sot u vu sërish në pranga. /Pamfleti
Lini një Përgjigje