TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Dhjetor 2023, 12:37

Arrestohet në Spanjë i shumëkërkuari Lulzim Berisha 

Shkruar nga Pamfleti
Arrestohet në Spanjë i shumëkërkuari Lulzim Berisha 
Lulzim Berisha 

Ish-kreu i Bandës së Durrësit u arrestua në kuadër të operacionit të përbashkët “Sant Joan” mes policisë shqiptare dhe asaj spanjolle.

Ditën e sotme është arrestuar në Spanjë shumëkërkuari Lulzim Berisha. Ish-kreu i Bandës së Durrësit u arrestua në kuadër të operacionit të përbashkët “Sant Joan” mes policisë shqiptare dhe asaj spanjolle.

Autoritetet shqiptare do kërkojnë ekstradimin e tij.

"Vijojnë operacionet dhe bashkëpunimet e sukskeshme me homologët, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Finalizohet operacioni policor i koduar “Sant Joan”.
Si rezultat i bashkëpunimit të FAST Albanias me FAST Spanjën, falë informacioneve të siguruara përmes inteligjencës policore nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit të tyre në kohë, me strukturat e Policisë spanjolle, u bë e mundur kapja e shtetasit me rrezikshmëri të lartë shoqërore Lulzim Berisha.

Vijon bashkëpunimi me autoritetet spanjolle, për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri."-njofton policia. 

Shpallja në kërkim e Lulzim Berishës është bërë në mes të muajit dhjetor 2021, ku pas dyshimeve mbi vendndodhjen e tij i kërkohet ndihmë autoriteteve të huaja, për lokalizimin dhe arrestimin e të dënuarit.

I akuzuari si kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u lirua me kusht në 5 dhjetor 2016, pas një vendimi të komplikuar të Gjykatës së Apelit Durrës, sipas të cilit ai përfitonte lirim të parakohshëm pasi kishte shlyer ¾ e dënimit prej 25 vitesh burg dhënë nga Gjykata e Lartë.

Por në 7 dhjetor 2021, Gjykata e Lartë, prishi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, që i fali Lulzim Berishës më shumë se 6 vite burg, bazuar edhe në një dokument punësimi të lëshuar nga ish-kryebashkiaku Vangjush Dako.

Ndërkohë veç kësaj mase kërkimi, Lulzim Berisha prej dhjetorit 2020 është në kërkim nga SPAK, pasi akuzohet si pjesëmarrës në vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames në muajin shkurt 2005.

Kush është Lulzim Berisha?

Lulzim Berisha njihet si truri i “Bandës së Durrësit”, një organizatë kriminale përgjegjëse për disa krime të rënda. Banda nisi të veprojë në Durrës prej vitit 1998, kur Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Seriali i vrasjeve u bë edhe më i qartë kur në pranverën e vitit 2006 u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.

Njëri prej tyre, Adriatik Coli u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë pas riatdhesimit nga Italia, duke treguar një pjesë të mirë të shkaqeve dhe autorëve të ngjarjeve kriminale.

Historiku i krimeve të Bandës së Durrësit

17 tetor 1998

Organizata kriminale e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku, më 17 tetor të vitit 1998 në qytetin e Durrësit. Kjo mbahet si vepra e parë kriminale e këtij grupi.

29 tetor 1998

Pa kaluar as dy javë nga vrasja e parë, organizata e Berishës dhe Saliut akuzohet se ka kryer dy vrasje të tjera. Bëhet fjalë për ekzekutimin e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja më 29 tetor 1998. Në këtë ngjarje u plagos edhe Marsel Sotiri

22 gusht 1999

Një vit më vonë, i vetmi person që arriti t’i mbijetojë atentatit të 29 tetorit 1998 është zënë në pusi nga ana e grupit të Berishës dhe Saliut. Më 22 gusht 1999, Marsel Sotiri ekzekutohet në një pritë, në lagjen Plazh të qytetit të Durrësit.

9 korrik 2000

Organizata kriminale e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet nga prokuroria e policia edhe për një tjetër vrasje. Këtë herë ata kanë kryer atentatin ku u vra shtetasi Dritan Disha. Kjo vrasje ka ndodhur më 9 korrik 2000 në fshatin Shënavlash të Durrësit

14 janar 2002

Një tjetër vrasje i është faturuar organizatës kriminale Berisha-Saliu. Më 14 janar të vitit 2002 i kanë zënë pritë dhe më pas ka kryer ekzekutimin e shtetasit Ervin Lame në lagjen numër 3 të Durrësit

2003

Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata është ndarë në dy organizata të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata tashmë janë bërë rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre

26 shkurt 2005

Pas kësaj ndarjeje, organizata e kryesuar nga Lulzim Berisha ka marrë hak ndaj rivales së saj duke organizuar atentatin për vrasjen e Klodian Saliut. Kjo vrasje është kryer në autostradë më datë 26 shkurt të vitit 2005, pranë fshatit Maminas të rrethit të Durrësit.

13 tetor 2005

Vetëm 9 muaj ka vonuar kundërpërgjigjja e ish- organizatës së Klodian Saliut. Tashmë ajo drejtohet nga Indrit Dokle dhe akuzohet se ka kryer vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005 në Tiranë. Pas vrasjes, trupi i Gashit është hedhur në fshatin Romanat të Durrësit.

30 tetor 2005

Hakmarrja e grupit të kryesuar tashmë nga Indrit Dokle nuk është ndalur me kaq, por 27 ditë më vonë ai ka organizuar vrasjen e shtetasit Ilir Kolgjini, i njohur si mik i Lul Berishës. Kjo vrasje ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2005 pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.

Lini një Përgjigje