TAGS-AT E JAVËS

Kronike21 Shkurt 2025, 16:38

Arrestimi i Bajrave, reagon SPAK: Kemi prova, të implikuar në vrasjen e Fatbardh Licit

Shkruar nga Pamfleti

Arrestimi i Bajrave, reagon SPAK: Kemi prova, të implikuar në vrasjen

Përplasjet mes Bajrave dhe Licëve dyshohet se nisën me atentatin me eksploziv ndaj Lulzim Kullës. Pas kësaj ngjarjeje u ekzekutua Fatbardh Lici dhe vijoi një sage krimesh, disa të zbardhura dhe të tjera ende të pazbuluara.

SPAK ka reaguar zyrtarisht lidhur me arrestimin e Safet Bajrit, ndërsa i janë komunikuar akuzat edhe Behar Bajrit dhe Asmer Bilalit, që janë arrestuar më herët po me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’.

Arrestimi i Behar Bajrit ditën e sotme lidhet me ngjarjen e ndodhur 7 vjet më parë, kur iu bë atentat Fatbardh Licit, vëllai i Mustaf Licit.

Në njoftimin zyrtar të SPAK thuhet se “ka mbledhur prova mbi të cilat është krijuar dyshimi i arsyeshëm se personat nën hetim Behar Bajri, Safet Bajri dhe Asmer Bilali, kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer më 10.08.2018, në qytetin e Shkodrës, vrasjen me armë zjarri të shtetasit Fatbardh Licit, i afërm i shtetasit Ibrahim Licit. Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet ndër të tjera me atribuimin që shtetasi B.B, i bën shtetasit I.L për vrasjen e të njohurit të tij, shtetasit B.B”,

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve që po zhvillon për procedimin penal nr. 112 të vitit 2019 ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues.

Gjykata e Posaçme me vendimin nr. 12, datë 17.02.2025, ka vendosur:

– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg“, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personave nën hetim B.B; A.B dhe S.R, të dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës F.L, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 78/2 e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal;

Në datën 21.02.2025, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar masat e sigurisë për personat nën hetim B.B; A.B dhe S.R. 

Prokuroria e Posaçme falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër për bashkëpunimin në fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.

Atentati ndaj Lulzim Kullës, pikënisja e përplasjeve mes Bajrave dhe Licëve

Mëngjesin e 10 gushtit 2018 Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit, doli nga shtëpia e tij dhe u ul në një lokal në lagjen Kiras. Ora shënonte 07:30 kur teksa 53-vjecari po konsumonte kafe me dy të njohur të tij, pranë tyre afrohet një automjet tip Benz. Nga automjeti del një person i armatosur dhe qëllon me breshëri mbi Fatbardh Licin duke e lënë të vrarë.

Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit, i njohur si Tata dhe xhaxhai i Ibrahim Licit, njeriut më të kërkuar për momentin nga policia, ishte i skeduar për vrasjen e Astrit Kurmemës në 2011.

Dyshimet në atë kohë ranë mbi Kurmemët, por shpejt rrjedha e hetimeve ndryshoi. Policia e Shtetit arriti në atë kohë të zbulonte se një luftë e ashpër kishte nisur mes fisit Lici e Bajri.

Përplasja e kishte zanafillën te atentati me eksploziv ndaj Lulzim Kullën, dhëndri i familjes Lici. Kulla mbeti i plagosur bashkë me 8 persona të tjerë.

Referuar raportimeve të kohës, Bajrat shkuan në familjen e Mustafa Licit dhe bënë be’ sipas Kanunit. Madje dy familjet u bënë kumbar. Por fill më pas ndodhi dhe vrasja e Fatbardh Licit. Që nga kjo ngjarje, janë regjistruar një sërë atentash mafioze me shumë të vrarë e të zhdukur pa gjurmë.

Ndërkohë mesditën e sotme Safet Bajri u arrestua me urdhër të SPAK në shtëpinë e tij në Dobrac. Ai akuzohet se bashkë Behar Bajri e krahun e tij të djathtë ka ekzekutuar Fatbardh Licin. Akuza është zyrtare. Asmer Bilalit ndërkohë i janë vrarë babain e xhaxhai, kur ndodhej në burg në kuadër të operacionit OAZ kur u godit bashkë me grupin Bajri.

Ndërkohë hetime po zhvillohen lidhur me atë që konsiderohet si masakra e Dobraccit, ku mbetën 4 viktima. Për masakrën po hetohen dhe Izmir Sakica e Samuel Troshani. 

 

 

Lini një Përgjigje