Ekzekutimi i shqiptarit, Aleksandër Zaka dy ditë më parë në Greqi vijon të mbetet ende e pazbardhur.
Ende nuk dihet se cili ka qenë shkaku që çoi në vrasjen e tij, mirëpo mediat greke shkruajnë se është identifikuar autori i vrasjes.
Identiteti i tij nuk është bërë me dije, por sipas protothema.gr, grupi hetimor ka arritur në përfundimin se pas vrasjes së 51-vjeçarit, ka shumë gjasa që qëndron një person që në të kaluarën ka qëndruar në shtëpinë e viktimës. Autoritetet po punojnë për arrestimin e tij.
“Hetimi është ende në vazhdim, por është identifikuar një i dyshuar kyç i cili dyshohet se ka qëndruar në shtëpinë e viktimës për periudhën e kaluar. I dyshuari është në kërkim”, thanë burime për protothema.gr.
Aleksandër Zaka, me origjinë nga Lushnja, u gjet i vrarë më 12 gusht 2023 në oborrin e banesës së tij. Ai ishte qëlluar me një plumb pas koke dhe miku i tij e gjeti të ulur në një karrige. Rrethanat nuk dihen ende, ndërsa shqiptari në komunitet njihej si njeri i qetë.
Lini një Përgjigje