TAGS-AT E JAVËS

Kronike12 Gusht 2025, 19:33

Aksidenti në Zvicër, humb jetën 4-vjeçari shqiptar

Shkruar nga Pamfleti

Aksidenti në Zvicër, humb jetën 4-vjeçari shqiptar

Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në rrugën Stahlstrasse, në St. Gallen (Zvicër), ndërsa një fëmijë 4-vjeçar shqiptar, humbi jetën.

Një 44-vjeçar gjerman, duke drejtuar furgonin e tij Mercedes drejt Zürcher Strasse, në zonën e Feldbachstrasse, ka përplasur një djalë 4-vjeçar me prindër nga Kosova dhe pasaportë austriake, në një zonë banimi me kufizim shpejtësie prej 30 km/orë, shkruan Blick.

Fëmija, i identifikuar si Dardan, pësoi lëndime të rënda. Policia dhe kalimtarët i dhanë ndihmën e parë në vendngjarje deri në mbërritjen e ambulancës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë dy orë më vonë në Spitalin e Fëmijëve.

Dëshmitarët përshkruajnë skena dramatike. Një banore e zonës tha për mediat: “Dëgjova britma për ndihmë. Kur dola jashtë, pashë djalin e plagosur rëndë, ndërsa e ëma bërtiste me dëshpërim. Ishte një tragjedi e vërtetë.”

Një tjetër banor, Xhevdet V., tregoi se kishte ndihmuar në vendngjarje: “Babai e mbante në krahë. E shtriva përtokë, i vendosa bluzën time nën kokë dhe filluam menjëherë reanimacionin, por fatkeqësisht gjithçka ishte e kotë.”

Blendi V. 22 vjeç konfirmoi se shoferi reagoi menjëherë duke telefonuar shërbimet emergjente dhe duke ofruar ndihmë. “Shoferi dhe gruaja e tij ishin në shok të plotë”, tha ai.

Policia e St. Gallen ka nisur hetimet dhe po kërkon dëshmitarë që mund të kenë parë momentin e përplasjes.

Ngjarja ka tronditur rëndë komunitetin lokal, ku banorët shprehin shqetësime për sigurinë e rrugës dhe kërkojnë ulje të kufirit të shpejtësisë. 

Lini një Përgjigje