Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në aksin Bulqizë–Maqellarë, në pikën e njohur si “Kthesa e Krajkës”, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, duke lënë të plagosur dy persona. Ngjarja është raportuar fillimisht nga drejtues të tjerë automjetesh që udhëtonin në këtë segment, të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimet e policisë dhe ambulancës.
Të plagosurit kanë marrë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes dhe më pas janë transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar. Ende nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë identitetet e personave të përfshirë në aksident.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të dinamikës. Paraprakisht dyshohet se njëra nga makinat ka humbur kontrollin në kthesën e mprehtë, duke shkaktuar përplasjen. “Kthesa e Krajkës” është një nga segmentet më problematike të rrugës Bulqizë–Maqellarë, e njohur për numrin e lartë të aksidenteve, veçanërisht në kushte të vështira atmosferike dhe me mungesë sinjalistike të plotë.
Lini një Përgjigje