
Një aksident i trefishtë është regjistruar në orët e pasdites së të shtunës në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Gurishtë.
Një nga makinat ka dalë nga rruga pas përplasjes, teksa një tjetër ka përfunduar në barrierat mbrojtëse të rrugës, ku për pasojë kanë mbetur të lënduar 7 persona.
Mësohet se të tre drejtuesit janë dërguar në spitalin e Korçës, ku po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor. Të lënduar kanë mbetur dhe dy fëmijë të mitur të moshës 5 dhe 14 vjeç.
Fatmirësisht pasi kanë marrë ndihmën e parë, drejtuesit e mjeteve kanë dalë nga spitali.
Shkak për aksidentin mendohet të ketë qenë shpejtësia e njërit prej mjeteve dhe lagështia në rrugë, pasi momentalisht i gjithë qarku i Korçës është përfshirë nga reshje të dendura.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
"Më datë 05.08.2023, rreth orës 16.30, në aksin rrugor "Korçë-Pogradec", në afërsi të fshatit Gurishtë, Maliq, janë përplasur automjeti tip "Volksaëagen" me drejtuese shtetasen A. Sh., 32 vjeçe, banuese në Tiranë; me automjetin tip "Benz" me drejtues shtetasin L. H., 49 vjeç, banues në Kurbin dhe automjetin tip "Nissan" me drejtues shtetasin K. A., 68 vjeç, banues në Korçë.
Për pasojë janë dëmtuar 3 drejtuesit e automjeteve, të cilët po marrin mjekim në spitalin e Korçës dhe po kryejnë kontroll mjekësor 4 pasagjerët e automjetit tip "Nissan". Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.", njofton policia.
Lini një Përgjigje