Një aksident me pasojë vdekje është regjistruar pak minuta më parë në vendin e quajtur “Ura e Vocit” në Bulqizë.
Mësohet se aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:50, ku një 64 vjeçar ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë ka aksidentuar një këmbësore. Si shkak i plagëve të marra, 59-vjeçarja ka ndërruar jetë.
Ndërkohë që në vendngjarje ka mbërritur policia dhe grupi hetimor për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Drejtuesi i mjetit mësohet se është shoqëruar në polici.
“Bulqizë/ Informacion paraprak/ Rreth orës 15:50, në vendin e quajtur “Ura e Vocit”, Bulqizë, shtetasi S.H., 64 vjeç, banues në Fushë-Bulqizë, duke drejtuar automjetin e tij, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke aksidentuar këmbësoren, shtetasen H.M., 59 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit”, njofton policia.
Lini një Përgjigje