TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Korrik 2025, 10:44

23-vjeçari u gjet i mavijosur dhe makina në liqen, zbardhen detaje nga ngjarja në Mat; pistat kryesore ku po heton policia

Shkruar nga Pamfleti
23-vjeçari u gjet i mavijosur dhe makina në liqen, zbardhen detaje
Pamje nga vendi i ngjarjes. Liqeni i Shkopetit, Mat

Në trupin e viktimës janë konstatuar shenja të dukshme dhune, përfshirë mavijosje në zonën e fytit.

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Shkopet, ku u gjet trupi i pajetë i një të riu i identifikuar si Renis Dobra.

Familjarët e viktimës fillimisht dyshuan se ai ishte ndaluar nga policia dhe u paraqitën në Komisariatin e Matit për të pyetur nëse ishte shoqëruar.

Pasi janë informuar se i riu nuk ndodhej në polici, kanë nisur menjëherë kërkimet. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në trupin e viktimës janë konstatuar shenja të dukshme dhune, përfshirë mavijosje në zonën e fytit.

Këto shenja ngjallin dyshime të forta se 23-vjeçari është mbytur fillimisht me litar dhe më pas është hedhur në zonën e Shkopetit, me qëllim për të fshehur krimin.

Hetimet janë përqendruar në dy pista kryesore. E para lidhet me një përplasje të mundshme për shkak të parcelave të kultivuara me kanabis, ndërsa pista e dytë ka të bëjë me një konflikt të mundshëm për motive xhelozie apo lidhje sentimentale.

Nga kamerat e sigurisë gjatë rrugës është fiksuar një automjet që shoqëronte makinën e Renis Dobrës, nga fshati Zenisht deri në qytetin e Burrelit. Ndërsa, nga Burreli deri tek vendi ku u gjet trupi i viktimës raportohet se nuk ka kamera sigurie. Trupi i tij i pajetë është dërgua në morg, ndërsa pritet ekspertiza.

As viktima dhe as babai nuk rezultojnë me precedentë penalë. 23 vjeçari është hetuar për disa vjedhje, por kanë qenë situata të lehta.

Ndërkohë, është publikuar edhe fotoja e Renis Dobrës.

23-vjeçari u gjet i mavijosur dhe makina në liqen, zbardhen detaje
Viktima, Renis Dobra

"Mbrëmjen e djeshme, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Mat, shtetasi R. D., i cili ka  kallëzuar se djali i tij, shtetasi R. D., 23 vjeç, nuk ishte kthyer në banesë. Shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet për gjetjen e 23-vjeçarit. Pas disa orësh kërkime, shërbimet e Policisë kanë gjetur trupin e pajetë të 23-vjeçarit, pranë liqenit të Shkopetit, ndërsa automjeti i tij dyshohet se ka rënë në liqen. 

Në lidhje me këtë rast është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, njofton policia.

Në lidhje me këtë rast është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Ndërkohë, nuk është gjetur ende automjeti tip ‘Benz’ i viktimës që ka rënë në ujërat e liqenit të Shkopetit.

 

Lini një Përgjigje