
Haxhiu u arrestua në muajin maj të vitit 2023 në Greqi dhe mbahej në burgun e Koridhalos.
I shumëkërkuari Laert Haxhiu është ekstraduar ditën e sotme në Shqipëri nga Greqia. 32-vjeçari është sjellë në Kakavijë nën masa të larta sigurie nga policia greke dhe është marrë në dorëzim në Kakavijë nga Forcat Speciale “RENEA”.
Ai u arrestua në muajin maj të vitit 2023 në Greqi dhe mbahej në burgun e Koridhalos. Më pas shteti shqiptar bëri kërkesë zyrtare për ekstradimin e Haxhiut drejt Shqipërisë.

Haxhiu akuzohet për;“Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Ky i fundit është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme në muajin prill të këtij viti, për atë që është cilësuar si “Masakra e Lushnjës”, ngjarje e shënuar në vitin 2017, ku dy persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur.
"Ekstradohet drejt Shqipërisë, i shumëkërkuari me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, Laert Haxhiu. 32-vjeçari, i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë veprash penale : “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Ekstradimi i tij është kryer falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës.
32-vjeçari është sjellë në Kakavije, në masa të larta sigurie, nga Policia greke dhe është marrë në dorëzim në Kakavije, nga Forcat Speciale “RENEA”.
Haxhiu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Lushnjës, në vitin 2017, e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur ne tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Shtetasi Laert Haxhiu, më datë 25.09.2016, ka plagosur me armë zjarri shtetasit Xh. Sh. dhe S. Xh.;
Po ashtu Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2020, e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”, njofton policia.

Vrasjet në të cilat del i përfshirë Haxhiu
Haxhiu, kreu i grupit kriminal, bashkë me të penduarin e policisë, Artan Tafani rezultojnë bashkëpunëtor në 4 vrasje në Shqipëri. Gjithashtu 31-vjeçari ka urdhëruar dhe dy vrasje në Greqi. Të gjitha këto krime kanë ndodhur nga vitit 2018 deri në vitin 2021-shin. Ata vranë Çajup Selimin, Fridman Xhaferajn, Alban Semakun dhe Albi Bashaliun.
I pari, biznesmeni Çajup Selimi, u ekzekutua në Tepelenë në hyrje të shtëpisë së tij në lagjen “15 Shtatori” më datë 1 Qershor të vitit 2021. Ai doli nga shtëpia pasi u thirr nga një person dhe u qëllua në shkallët e katit të dytë të pallatit ku jetonte. Për eliminimin e tij bashkëpunuan 6 persona.

Një ditë më pas, anëtarët e grupit, kryejnë një tjetër vrasje. Ekzekutuan Fridman Xhaferaj në qytetin e Korçës, por trupi u zbulua 12 ditë më vonë, në rezervuarin e Gjançit. Në atë kohë, dyshimet e policisë ishin se 25-vjeçari ishte ekzekutuar për larje hesapesh, për shkak të konflikteve të mëparshme. Në vrasjen e 25-vjeçarin bashkëpunuar 7 persona.
Vrasja e tretë e zbuluar nga dëshmia e të penduarit Artan Tafani është dhe ajo e Alban Semakut, në 17 tetor të 2021. Ai njihej edhe me emrin Elton Kinezi. U gjet i vrarë në breg të lumit Shkumbin, pesë muaj pasi kishte dalë nga burgu. Në këtë krim morën pjesë: Laert Haxhiu, Artan Tafani dhe Lulzim Spahija.
Ngjarja kriminale e radhës, është vrasja e Albi Bashaliut në 27 dhjetor të 2021. u qëlluam me breshëri plumbash sapo zbriti nga makina për të shkuar në kafe. Krimi ndodhi në fshatin Gjoçaj të Peqinit. Policia thotë se shkak ka qenë hakmarrja pasi i vëllai, Leonard Bashaliu, vrau Ylber Xhahysën.

Por Laert Haxhiu nuk ka qenë vetëm ekzekutor, ai urdhëroi dhe dy vrasje në Athinë ne periudha të ndryshme, atë të Lulzim Qorrit në dhjetor të 2018 dhe Dikens Halilit në tetor të 2021. Ata ishin pjesë e bandave të trafikut të drogës.
Kush është Laert Haxhiu dhe armiqësia me Aldo Baren
Laert Haxhiu ishte fëmijë kur banda e Aldo Bares i dogji shtëpinë, i vranë dhe të afërm dhe ashtu u rrit me ndjenjën e hakmarrjes, po ashtu dhe Orges Bilbili. Laert Haxhiu nuk ka ndonjë arsimim, por ka profil të madh kriminal.
Ai ishte vetëm 18 vjeç kur e goditi me thikë Gerti Lalën. Bashkë me shokët e tij e qëlluan tre herë me pistoletë në kokë në hyrje të pallatit të tij. Dyshohet se në krim mori pjesë edhe Orges Bilbili. Ishte nëna e Gerti Lalës që i identifikoi ata si vrasësit e të birit. Laert Haxhiu u shpall fajtor për vrasjen dhe doli nga burgu në vitin 2014.
Kishte vetëm 8 muaj që kishte dalë nga burgu, kur u arrestua në 2015-ën për trafik droge. Haxhiu tentoi t’i shpëtonte policisë, por pasi u hodh nga 3-4 metra lartësi, theu këmbën. Në momentin e prangosjes, ai i tha policisë se u largua pasi mendoi se ishin njerëzit e Aldo Bares që e ndiqnin. Haxhiu kishte një linjë autobusësh me Greqinë dhe dyshohet se bënte edhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai u dënua me vetëm 17 muaj e 10 ditë burg, megjithëse policia i gjeti 1.2 kilogram kokainë.
Pika e kthesës në jetën e Laert Haxhiut
Pas daljes nga burgu nisi menjëherë nga atentatet. Tani ka në shënjestër Xhulio Shkurtin që i ka shpëtuar dy herë.
Ngjarja që e bëri të njohur për të gjithë publikun Laert Haxhiun është masakra e Lushnjes. Laerti, asokohe vetëm 25 vjeç, ekzekutoi bashkë me shokun e tij, Orgesin, Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën. Shënjestra ishte nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti. Më 11 shtator 2017, ata hynë me automatik në krah në një lokal në Lushnje, duke i lënë të vdekur dy të rinjtë, ndërsa shënjestra shpëtoi.
Nëse për Laert Haxhiun u angazhuan dy Polici të vendeve të ndryshme për ta prangosur, Orges Bilbili u arrestua nga rastësia në prill të vitit 2020, kur i gjithë vendi ishte në shtetrrethim prej pandemisë së koronavirusit. Bilbili ndodhej në zonën e Xhamllikut ku po lëvizte me këmbë kur është pikasur nga polici i ‘Shqiponjave’. Bilbili i tha policit se do e qëllonte dhe i drejtoi armën. Në këtë moment, polici pasi e ndoqi me vrap dhe e paralajmëroi derisa më pas e qëlloi në këmbë duke mundësuar kapjen e tij.
Historia e bandës së Lushnjës
Pikënisje e përplasjeve të përgjakshme mes bandave në Lushnje, ishte vrasja e Ramadan Shkurtit, vëllai i Alfred Shkurtit (Aldo Bares), deri në atë kohë efektiv i Forcave RENEA. Pas vrasjes së vëllait të tij, Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja, shokëve, miqve dhe të afërmve të tij, krijoi të ashtuquajturën “Bandë e Lushnjes”. Fillimisht në këtë grup u mblodhën Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Arben Borici, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të pandehurit Aldo Bare e vëllait të tij Ramadan Shkurtit, të vrarë tashmë. Aldo Bare hakmerret ndaj Artur Dajës, të cilin pasi e ekzekuton i pret kokën dhe e shkelmon atë rrugëve të qytetit të Lushnjës./Pamfleti
Lini një Përgjigje