Paraja publike e destinuar për universitetet duhet të përdoret racionalisht drejtpërdrejtë për studentin, pedagogun, rritjen e cilësisë së mësimdhënies, kërkimin shkencor.
Dy muaj më parë, Kryeministri i vendit, zoti Edi Rama, zhvilloi një takim të hapur për publikun, me rektorët e universiteteve shqiptare. Në mbledhje, një pafundësi rektorësh dhe të gjithë, në një vend me aq pak kapacitete të mirëfillta akademike, për të themeluar vetëm një universitet të vërtetë bashkëkohorë, ndërkohë që degët e studimit, në një pjesë prej tyre, nuk kanë fare studentë. Për t'u përshendetur kumti i zotit Kryeministër, siç e kuptova unë, që ligjet mbi universitetet dhe kërkimin shkencor, të shkruara nën diktimin e lobistëve, duhet të rindërtohen, duke eliminuar çdo artificë të përfshirë enkas, nga legjislatorët e telekomanduar prej të përhershmëve ndërhyrës në shtrembërime, me synimin e një kohe: jetëzgjatjen e sundimit të kastave. Ishte një sinjal i parë pozitiv, mbasi tanimë është kuptuar se koha për një ndërhyrje drastike korrektive ka mbërritur në tavolinën e qeverisë, gjë që u përforcua edhe ditën e hënë në Shkodër nga Ministrja e Arsimit zonja Mirela Kumbaro.
Unë mendoj se koha për përgatitjen e një korrektimi rrënjësor të sistemit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri, ka qenë që kur u kuptua, se edhe pas reformës së vitit 2015, shumë pak ndryshoi: institucionet e drejta të dijes vazhduan të rrethohen nga linjat e prodhimit të diplomave, borderotë e universiteteve private vijuan të përdoren si lavatriçe qokash politike e administrative, ndërkohë që besimi i publikut, i prindërve dhe studentëve ndaj sistemit të brendshëm universitar, pësoi një rënie katastrofike.
Ligji i vitit 2015, i deformuar në parlament prej interesave politike individuale, nga parimet e përcaktuara prej draftuesit kryesorë, duhet ndryshuar dhe ky ndryshim është e nevojshme tanimë të përgatitet, jo nga grupet me interesa, dhe aq me pak ata me interesa të errëta vetësunduese dhe kastëmbajtëse, por nga një komision i pavarur, kombëtar, i përkohshëm dhe gjithëpërfshirës, i përbërë nga studiuesit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në universitete ndërkombëtare, ekspertë të Komisionit Europian ose institucioneve ndërkombëtare që mbështesin arsimin cilësor, me pjesëmarrjen e atyre pak specialistëve të brendshëm, që ia kanë dalë të ruajnë integritetin në këto kohë shtrembërimesh të kuptimit mbi Univesitetin dhe Akademinë.
Në fakt, ka një të vërtetë: të njëjtët që nuk ia kanë dalë të krijojnë një shkollë të mirëfilltë, drejtuesit vegjetues e të përgjumur në shërbim të bosëve ‘frauditorë’ të dijes, nuk mund të inkurajoheshin më të vijojnë në qetësinë e tyre fatlume! Nuk mund të vazhdohet më mbi këto shembuj të konfliktit të interesit mes funksioneve politike të një kohe, pasurimit personal dhe pretendimeve kinse akademike. Nuk mund të lejohet më tej që individë të implikuar në një kohë në keqpërdorimin e fondeve publike, që më pas i kanë kanalizuar në formën e investimeve arsimore fiktive, të cënojnë në vijimësi të pashqetësuar në dëmprurjen e tyre, integritetin e arsimit të lartë dhe akademisë në Shqipëri. Me këtë shqetësim të Kryeministrit, në qoftë se kemi kuptuar drejtë, bien dakord të gjithë ata që e njohin në thelb problemin dhe kanë përgjegjësinë që punët të ndryshojnë.
Koha është për reflektim dhe korrektim rrënjësor, por kjo nuk është diçka që mund të bëhet në një mbledhje me formate të atilla sikurse mbledhja e gushtit 2025, ku interesat publike të mishëruara në universitetet shtetërore, përzihen padrejtësisht në batërdinë e interesave private të institucioneve fantazmë, por në kabinetin qeveritar, me një ekip krejt tjetër, të përbërë prej atyre pak njerëzve që e njohin mirë rrënimin ku ndodhet sistemi universitar dhe shkencor në Shqipëri. Dhe ky ekip duhet të ndajë një herë e mirë, në pikëpamje të rregullave administrative, dy sferat: atë publike dhe shtetërore, në ligj dhe në forum, nga ajo private, po në ligj dhe në forum, duke ruajtur të njëjta vetëm standardet akademike.
Edhe pse me ligjin e vitit 2015, në mënyrë të sforcuar, nën ndikimin e lobistëve, që “ndikuan” dhe “ushqyen”, të madh dhe të vogël në shkrimin e deformuar nga parimet të ligjit, këto dy sfera, në mënyrë tinzare, u përzien si shërbestare të interesit publik, në fakt, ato dy grupe institucionesh nuk mund të bashkohen për shkak të interesave krejtësisht të ndryshme, të përkundërta madje, në aspektin e interesit në kupolat kontrolluese: tjetër është interesi publik, detyrimi shtetëror për arsim cilësor të financuar nga buxheti shtetit dhe tjetër interesi i biznesit privat i pakontrollueshëm në “dashurinë” e vet ndaj publikut. Dy përbërësit e sistemit duhet të ndahen dhe rregullohen me ligje te veçanta dhe duhet të kontrollohen përmes forumeve të veçanta, mbi respektimin e ligjit dhe standardeve universitare. Për rrjedhojë e ardhmja dikton rishkrimin e ligjit mbi universitetet, ose shkrimin e një të riu dhe zhveshjen e të vjetrit nga pjesa që kamuflon institucionet e rreme (them vetëm për ata që janë të tilla, që ndërrojnë emrat e kompanive themeluese dhe vijuese, kryejnë falimentime fiktive, krijojnë skema të ndërlikuara kamufluese të transferimit të parave brenda dhe jashtë, etj.) në sistem. Në një shtet serioz që i ka përnjimend reformat, interesat publike të mishëruara universitet shtetërore, nuk mund të përzihen aq thellësisht në batërdinë e interesave private të institucioneve reale ose fantazmë, pa stafe të vërteta dhe me kontrata te ndryshueshme, që nuk respektojnë ligjin e vitit 2015.
Vështirësia praktike në reformim qendron në faktin që, për ta kryer këtë proces njimendësisht në sferën publike, krerët e mbërritun në maje, me këtë mënyrë kopsitjeje të proceseve zgjedhore dhe që nuk ikin me dekada nga pozicionet drejtuese, duhet të largohen nga pengmarrja e autonomisë dhe vetë institucioneve publike.
Pyetja është si mund të ndodhë ky çlirim, ndërkohë që ligja mbron autonominë dhe detyron zgjedhjet?! Pikërisht kësaj pyetjeje do të duhet t’i jepet një përgjigje teknike, d.m.th. po ligjore, e cila do të duhet të arsyetohet me nevojën rindërtuese të universiteteve, bazuar mbi cilësinë e stafeve dhe udhëheqësisë universitare. Mendoj se do të duhet të kalohet, përmes një periudhe tranzitore, gjatë së cilës autonomia, në sferën e rindërtimit të stafeve dhe drejtimit, do të duhet të bashkëshoqërohet me verifikimin e përputhshmërisë së kuadrit mësimdhënës me arritjet profesionale dhe shkencore, sipas degëve të studimit, një ndërhyrje të një ekipi të naltë çertifikues të nivelit të drejtuesve, që njëkohësisht ndërton bazën e të dhënave të burimeve të reja të kualifikuara, që nuk i kanë dalë të çajnë muret e padepërtueshme të mediokritetit rrënues të universiteteve aktuale. Urdhnimi i kohës është se Kastat e Tarafeve, që mbrohen në emër të autonomisë, nuk mund të vijojnë më tutje, ndërsa universiteti do të duhet të ribëhet në kuptimin e kuadrit dhe organizmit esencial të funksionit.
Thanun ndryshe, së sferën publike mendoj se duhet të ndodhë: 1.Thyerja dhe çmontimi i kastave shumëvjeçare që kanë zënë pambarimisht komandën e punëve, vendimarrjen, regjinë e koperturave, sistemin e rekrutimit dhe të rivendoset meritokracia konkurenciale, bazuar në indikatorët e përformancës së punës shkencore dhe pedagogjike: pikërisht kastat e çimentuara si oktapodër në institucione, janë barrierat që pengojnë, jo vetëm zbatimin korrekt të ligjit, por edhe të diplomuarit jashtë vendit të integrohen në sistem, ata të paktët profesorë të mbetur në Shqipëri, që meritojnë të hyjnë në konkurrim të ndershëm dhe të japin kontribut në sistemin universitar shqiptar.
Pyetja është pse krijohen këto Kasta, këto Pushtete Absolute të Pakonkurueshme, në çdo hapësirë të lënë me ligj “indipendente” në këtë vend?! Si mund të dilet nga ky rreth i çmendur damtues në të cilin është futur shoqëria jonë?!
E gjitha është e lidhur me kulturën e një shoqërie me shpirt të ngërthyer në prapambetjen e trashëguar, por është lidhur edhe me qasjen e gabuar të rindërtimeve institucionale, me ndikimet politike dhe të tarafeve krahinore, që më vonë krijojnë atë pushtetin e vogël institucional që siguron para, që vjen nga buxheti, nga individi, nga shkëmbimi i interesave dhe vendeve të punës, të kopsitura tërësisht jashtë rregullave shtëterore, frymës së lirisë konkurenciale dhe përpjekjes për lumturi në një shoqëri. Sikurse në çdo cep të shoqërisë institucionale edhe Dija është kapërthyer nga e pavërteta, formalizmi, prapambetja uluritëse në të gjitha aspektet, pedagogjike, shkencore dhe të administrimit, ndërsa rendja drejt naltësisë në shumë raste lidhet me yryshin drejt parasë, pushtetit dhe shërbimin ndaj kastës së fuqishme politike.
Dhe këtu vijmë tek momenti i dytë i ndërhyrjes: 2. Paraja publike e destinuar për universitetet duhet të përdoret racionalisht drejtpërdrejtë për studentin, pedagogun, rritjen e cilësisë së mësimdhënies, kërkimin shkencor. Dhe për të gjitha këto, jo vetëm ka shumë pak para, por edhe ajo që jepet nuk mbërrin në destinacion, për shkak të vendosjes, ngritjes së disa strukturave të ideuara për vende të zhvilluara dhe implementuara artificialisht në një vend aq të prapambetur dhe në javashllëk si Shqipëria: Bordet e Administrimit, Agjencitë e Kërkimit Shkencor që janë programuar për të mos e dërguar paranë tek kërkuesit e vertëtë, por të mjeshtrat e kotësisë dhe shërbimet dytësore.
Çdo aspekt investimesh do të duhet të hiqet nga administrimi universitar dhe akademik i bordeve të rrënimtarve dhe të vendoset nën kujdestarinë dhe përgjegjësinë e një Ministrie për Universitetet dhe Kërkimin Shkencor, tanimë, dikaster i veçantë i ekzekutivit, i depolitizuar në çdo hallkë. Me këtë rast, shkolla e lartë dhe kërkimi shkencor në vend, do të kenë, jo vetëm një buxhet me vete, por edhe shumë më të lartë, siç është kërkuar nga konsulentët e ligjit të vitit 2015.
3. Një universitet vlen sa vlen profesorati i tij. Për fat të keq, dekadat e fundit kanë shënuar shkatërrimin e këtij profesorati financiarisht, paralelisht me rrënimin e pjesës tjetër të klasës së mesme, por dhe mbushjen e departamenteve me klane servile, pa asnjë profesionalizëm apo profilizim akademik, të cilat ekzistojnë aty vetëm për të votuar kastat e përjetshme që transferojnë poste dhe trashëgimi mediokre institucionale. Ata vetë nuk lexojnë, nuk studiojnë dhe nuk merren me kërkim shkencor. Nuk bëjnë gjë tjetër veçse i bëjnë temena ndonjë drejtuesi “stoik”, i cili prej dekadash lëviz nga posti i shefit të departamentit në atë të dekanit, zëvëndës-rektorit, rektorit, të zhytur në stanjacion rrotullues dhe të paaftë të sjellin qoftë edhe një përmirësim të vogël në sistemin e edukimit dhe kërkimin e mirëfilltë shkencor. Natyrshëm shtrohet pyetja: a mund të ketë Shqipëria të paktën një, dy apo tre universitete të mirëfillta? Unë besoj se po, mbasi kapacitetet ekzistojnë, por për këtë nevojitet një reformë e thellë dhe e mirëmenduar.
Duhet ngritur një projekt pilot i udhëhequr nga një bord i posaçëm, për të riorganizuar stafin akademik cilësor të mbetur në Shqipëri brenda departamenteve të një universiteti të përzgjedhur për rindërtim të pilotuar, i cili do të duhet t’i nënshtrohet një rithemelimi rrënjësor në strukturë dhe programe. Kjo nismë duhet të shoqërohet me: paga konkurruese për stafin akademik; mundësi për integrimin e akademikëve të arsimuar jashtë vendit; vendosjen e një meritokracie të vërtetë, të bazuar në tregues të qartë të performancës shkencore dhe mësimore; zbatimin strikt të standardeve profesionale; pastrimin e njësive akademike nga elementët e kotësisë joproduktive, jashtë profileve të shkencës përkatëse.
Një qasje e tillë mund të zbatohet fillimisht në një nga universitetet publike, sipas vlerësimit të programuesve të rinj të reformës që po propozohet parimisht. Në këto institucione kërkohet një rishqyrtim i plotë i burimeve njerëzore të çdo departamenti, duke sjellë në njësitë bazë akademikët më të mirë të momentit, të përzgjedhur mbi bazën e meritës së dëshmuar, të cilët do të duhen mirëpaguar. Rikrijimi i Stafeve për të rritur besimin në cilësinë. Këtë proces duhet ta udhëheqë Ministria e re e Universiteteve dhe e Shkencës, nën varësinë e së cilës do të duhet të kalojnë edhe Institutet e Albanologjisë, përmes një bordi konsultativ të posaçëm, që nuk mund të ndërtohet më siç është ndërtuar KALSH-i i sotëm, për fat të keq, klientelist.
Menjëherë pas kësaj, mendoj se duhet të bëhet rivlerësimi dhe rritja e pagave në një nivel bashkëkohor e të pranueshëm, sepse pa paga dinjitoze nuk mund të ekzistojë një profesorat i mirëfilltë, as kërkim shkencor i pavarur dhe as pavarësi intelektuale, që është e garantuar edhe në ligjin e vitit 2015, në fakt. 4. Biblioteka si zemra e një institucioni universitar. Investimet duhet të derdhen pikërisht këtu, në pasurimin e tyre me literaturen e profilizuar dhe në sistemin e aksesit ne bibliotekat on-line.
Mirëpo ne kemi ndërtuar spontanisht edhe një sferë private të arsimit të lartë të tejskajshme në numër dhe jo të vogël në studentë. Prandaj vëmendje e posaçme do të duhet t’i kushtohet arsimit të lartë privat. Ky sistem, tanimë i papërzier më atë publik, duhet të forcohet nën ligj dhe nën garanci të pakthyeshme shtetërore, duke e vendosur në të njëjtin nivel përgjegjësie me sistemin publik, duke eliminuar çdo hapësirë për shpërdorim financiar apo akademik. Qëllimi nuk është penalizimi, por garantimi i cilësisë së diplomës shqiptare në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar, qëndrueshmëria e universiteteve dhe e stafeve të tyre, plaga më e madhe e shkaktuar këto kohë: dhuna permanente ndaj profesoratit. Dhe qeveria nuk mund të mbyllë sytë para kësaj më, por duhet të marrë masa të detyrueshme: 1. Garancia financiare dhe statusi jofitimprurës: Të gjitha universitetet private duhet të regjistrohen si fondacione jofitimprurëse me fondet themeluese të ngrira, të audituara çdo vit nga Auditi i Ministrisë. Çdo tepricë financiare duhet të investohet në kërkim shkencor, bibliotekë, laboratorë dhe përmirësim të stafit, por nuk mund të kalojë si fitim për ndërtim pallatesh nga pronarët. Vendosja e një “Fondi Garancie” për mbrojtjen e studentëve dhe profesoratit në rast mbylljeje apo humbje liçence. 2. Rishqyrtimi i diplomave dhe akreditimi retrospektiv: Një task-forcë kombëtare, me pjesëmarrje të ekspertëve të huaj, të kryejë auditim retrospektiv të të gjitha diplomave të lëshuara nga viti 2000 e këtej. 3. Standardet e profesoratit dhe mbrojtja e tenureship-it: Minimumi 70% e stafit akademik të jetë me angazhim të plotë, me tituj shkencorë të njohur ndërkombëtarisht dhe me afat shumëvjeçar të verifikueshëm të qendrueshmërisë; Tenureship-i të mbrohet me ligj, duke ndaluar largimet arbitrare të profesorëve për arsye joshkencore. Paga të indeksuara me sistemin publik dhe tregun rajonal, për të shmangur konkurrencën e pandershme mbi bazën e kostos së ulët të punës akademike. 4. Kontrolli i kontratave dhe stabiliteti i stafit: Verifikimi i të gjitha kontratave të 20 viteve të fundit për shkelje të ligjeve të vitit 2008 dhe 2015 mbi të drejtat e profesoratit dhe kompensimi i të dëmtuarve të harruar nga moskujdesi i shtetit. Universitetet që kanë ushtruar rotacion të pajustifikuar të stafit duhet të penalizohen me heqje të akreditimit për një periudhë të caktuar. 5. Përmbajtja akademike dhe infrastruktura: Çdo universitet privat të ketë bibliotekë me fond minimal prej 30.000 titujsh në gjuhë origjinale dhe akses të plotë në bazat ndërkombëtare të të dhënave shkencore.
Të ketë laboratorë funksionalë për çdo disiplinë dhe ambiente mësimore të certifikuara sipas standardeve të ENQA (Shoqata Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë). 6. Transparenca dhe raportimi publik është kthyer në një domosdoshmëri, për shkak rrëshqitjeve ndër filtrime: çdo universitet privat është e nevojshme të publikojë çdo vit një raport financiar dhe akademik të detajuar, të verifikueshëm publikisht, mbi: cilësinë e mësimdhënies, punësimin e studentëve, rezultatet në kërkim shkencor dhe përdorimin e fondeve. 7. Harmonizimi me standardet ndërkombëtare: a) Licencimi dhe akreditimi përiodike të kryhen vetëm nëse plotësohen standardet e “Bologna Process” dhe “European Standards and Guidelines for Quality Assurance in Higher Education”. (b) Kontroll periodik nga agjenci të akreditimit të huaja, për të shmangur vetë-monitorimin formal. Kushdo që synon të vijojë veprimtarinë ose të themelojë një universitet privat, duhet të përmbushë këto kushte të pakthyeshme. Përndryshe, licenca duhet të pezullohet dhe studentëve t’u ofrohet e drejta e transferimit në një institucion tjetër të akredituar. 8. Internacionalizimi, që fillon, jo me rëndjen në rekrutim studentësh nga vendet e botës së tretë, por me ndërtimin e partnershipit real me universitet perëndimore, çfarë përbën një sfidë të vërtetë.
I shkruajta këto radhë në një kohë kur kupa e shëmtuar është mbushur, kur padrejtësia, kapja institucionale dhe sundimi i kastave të paditura dhe të palexuara, kanë zëvendësuar meritokracinë, duke e zhytur shoqërinë shqiptare në pasiguri dhe mosbesim. Sot është koha për një riprogramim të vërtetë të shtetit, me reforma rrënjësore edhe në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, duke thyer strukturat e mbyllura të kontrolluar nga vetëm një njëri në krye të një kaste, ose një grupi të strukturuar, duke ndarë sferën publike nga ajo private, duke rikthyer konkurrencën mbi bazën e meritës dhe duke garantuar përdorimin e drejtë të fondeve publike. Vetëm një qeveri e udhëhequr nga arsyeja, ligji dhe kompetenca, që mbështetet te dija dhe integriteti, mund të reformojë dhe çertifikojë universitetet dhe institucionet shkencore që vendi ynë meriton. Ky është urdhër i kohës dhe përgjegjësia e ekzekutivit: hapja rrugës së një Shqipërie të drejtë, të ndershme dhe konkurruese në Europë, edhe në fushën e dijes.
Lini një Përgjigje